E Diel, 1 Nëntor 2026

Pse OSBE pergenjeshtroi OSBE-ne?

OSBE nën presione dhe shantazhe tiranike të lidershipeve politike në Tiranë? Nëse punët kanë ardhur deri këtu, nëse shumica e bashkuar PS-PD mund të tiranizojë edhe "ndërkombëtarët", duke imponuar redaktimin e prononcimeve të tyre, si mund të shpresohet për institucione vendase të pavarura? Alarmi nuk mund të mos jetë maksimal pas asaj që ndodhi me Robert Bosch në fillim të javës që po lëmë pas. Një deklaratë e ambasadorit të OSBE lidhur me mangësitë e procesit të hartimit dhe të vetë Kodit Zgjedhor, u korrigjua (në thelb u përgënjeshtrua) brenda pak orësh nga vetë një deklaratë e OSBE. A do të japë dorëheqjen Bosch pas këtij skandali që hedh hije dyshimi mbi paanshmërinë dhe objektivitetin e misionit që ai drejton? Edhe pse nuk konfirmohet, nuk është vështirë të ndjehet se reaksioni dhe presioni në kulisat dhe prapaskenat e errëta të politikës ka qenë i egër deri brutal. Deklarata e parë e Bosch duket se ka shkaktuar një tërbim që ka pjellë brenda pak orësh, një deklaratë të dytë, thuajse krejt të kundërt me atë të parën dhe nga vetë institucioni që drejton Bosch. Cilës së vërtete duhet t‘i besojë pas kësaj publiku shqiptar? Të parës apo të dytës? Enigmat rreth ngjarjes së pazakontë, në fakt një skandal diplomatik, janë acaruese. Ndihet qartë se mbi ambasadorin e OSBE është ushtruar presion, por nga kush? Dhe pavarësisht se cilët e formuluan këtë presion, në shqip, gjermanisht apo anglisht, nuk është e vështirë të kuptohet se ai origjinon nga liderë shqiptarë si Rama apo Berisha. Gjërat kanë vajtur rrezikshmërisht larg. Se ç‘mund të presësh nga një mision i OSBE në Tiranë kur befas rezulton se nuk qenka OSBE që monitoron dhe korrekton politikanët shqiptarë, po qenkërkan këta të fundit që monitorojnë dhe korrigjojnë OSBE-në? Një mision i tillë, jo vetëm nuk mund të jetë më në rolin e arbitrit, por do të shërbente si gjethe fiku "demokratike" për të pabërat e të mëdhenjve të politikës shqiptare. Dhe a nuk po ndodh pikërisht kështu? A nuk po ndihmon OSBE dhe të tjerë perëndimorë në Tiranë, që autoritarizmi të shitet si "konsensus i gjerë", tirania e shumicës PD-PS si akt legjitim, ndërsa protesta e pakicës si shantazh?

***

Po cili ishte "mëkati" i ambasadorit Bosch? Thjesht deklarimi në publik i një të vërtete, gjë që është plotësisht në harmoni me misionin e tij diplomatik. Në paraditen e 17 nëntorit, ai guxoi të shprehë në publik disa të vërteta lidhur me "Kodin Zgjedhor", që liderët e PS dhe PD, Rama dhe Berisha, janë përpjekur që të mos dalin në shesh. Krejt ndryshe nga një pjesë e mirë e përfaqësive perëndimore në Tiranë, Bosch guxoi të thyejë "kodin e heshtjes" për Kodin dhe t‘u rikujtojë politikanëve shqiptarë Rama dhe Berisha rekomandimin e OSBE dhe ODIHR të vitit 2005, që "administrimi i zgjedhjeve duhet të kryhet në mënyrë pluraliste dhe gjithëpërfshirëse". Pas kësaj, duket se Rama dhe Berisha kanë ushtruar direkt ose indirekt me anë të miqve të tyre diplomatë, presion që ky pohim të "redaktohej" në deklaratën e pasdites të OSBE. Pse? Sepse e vërteta është që ky rekomandim i OSBE dhe ODIHR nuk është marrë fare parasysh nga "xhafët" dhe "rusmajlët" e PS dhe PD. Jo vetëm procesi i hartimit të "Kodit" nuk qe gjithëpërfshirës dhe diskriminimi i "të vegjëlve" në zgjedhjet e ardhshme është evident. Bosch guxoi të thoshte në publik se partitë politike duhet të garojnë në mënyrë të barabartë. Por ky sugjerim përbënte një "sakrilegj" për reformën e dy të mëdhenjve, sepse denonconte pabarazinë dhe diskriminimin që ata i kanë bërë partive më të vogla. Ndërkaq edhe nënkuptonte që 10 deputetët në grevë urie nuk po bënin shantazh, por po mbronin një kauzë drejtësie. Prandaj kulisat e politikës u hodhën ethshëm në veprim dhe në deklaratën e pasdites, edhe ky sugjerim i Bosch u censurua. Por jo vetëm kaq. Në deklaratën e dytë të OSBE ka një frazë që nënkupton grevën e urisë si "presion nga ndonjë grupim". Pra, është arritur që nëpërmjet presioneve në prapaskenë, dy forcat më të mëdha politike që po ushtrojnë dhunën tiranike të kartonëve në Kuvend të denoncojnë, me gojën e OSBE, të gjitha partitë politike që po kundërshtojnë këtë dhunë dhe padrejtësitë që burojnë nga ajo, si presion mbi Parlamentin. Është quajtur shantazhiste pakica që, e lënë pa asnjë mbrojtje nga dhuna "e ligjshme" e kartonëve të shumicës tiranike, protestonte me një mjet demokratik sikundër është greva e urisë. Kjo është hapur e pandershme dhe e padrejtë, antidemokratike, është avokatia më vulgare e tiranisë së shumicës që tashmë janë institucionet e si OSBE që e zhvillojnë. Një dukuri e tillë nuk mund të mos jetë alarmuese. Sepse ç‘mund të presësh në të ardhmen kur një mision si OSBE që ka ardhur të instalojë drejtësi dhe rregulla të ndershme loje, detyrohet të marrë në mbrojtje padrejtësinë? Dhe pse? Sepse ata që po bëjnë padrejtësi janë më të fuqishëm?

***

Ambasadori Bosch tha në mëngjes edhe të tjera gjëra lidhur me mangësitë e "Kodit Zgjedhor" që pasdite u censuruan dhe u redaktuan si "arritje" nga stafi i misionit të tij. Por ky shkrim nuk është një kritikë për ambasadorin Bosch. As edhe një mbrojtje për të. Sepse edhe vetë Bosch nuk e ka mbrojtur ende të vërtetën e tij. Ndaj nuk mund të mos theksojë se në raste të tilla, të një konflikti të brendshëm të institucionit të OSBE, duhet të sqarohet me transparencë se kush mes dy të vërtetave të dala nga e njëjta derë, është e vërtetë. Është një detyrim ndaj publikut shqiptar. Ndryshe do të tolerohet që ardhmëria e zhvillimeve politike të mos jetë meritë e standardeve, por viktimë e presioneve dhe kulisave të politikanëve të mbrapshtë dhe të korruptuar. Ndaj ose Bosch duhet të rivendikojë të vërtetën e tij dhe në këtë rast dikush nga stafi i OSBE duhet të mbajë përgjegjësi për "korrektimin" e kësaj të vërtete, ose duhet të pohojë po publikisht se deklarata e tij ishte e gabuar dhe duhet të mbajë përgjegjësi deri në dorëheqje. Këto janë standardet e një përgjegjësie për një akt që ka hedhur hije të forta dyshimi mbi paanshmërinë e misionit të OSBE në Tiranë. Paanshmëri pa të cilën ky mision jo vetëm nuk do të kishte asnjë kuptim, por do të qe i dëmshëm për demokracinë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›