Haxhinasto: Plani Ahtisari, zgjidhja e vetme për veriun e Kosovës

Zv.kryeministri dhe njëherësh ministri i jashtëm Edmond Haxhinasto ka deklaruar se plani Ahtisari është zgjidhja për veriun e Kosovës. Në një konferencë të përbashkët për shtyp së bashku me ambasadorin e ri të Kosovës Sylejman Selimi, Haxhinasto i është përgjigjur pyetjes së gazetarëve për idenë e hedhur për një autonomi për veriun e Kosovës.
“Përsa i takon ideve, mendimeve, sugjerimeve për autonomi, apo të tjerave që ju përmendët për pjesën e veriut të Kosovës, mendoj se ka ardhur koha që gjithësekush, çdo përfaqësues europian, çdo përfaqësues ndërkombëtar, të flasë me një zë për nevojën e zbatimit të plotë të planit Ahtisaari për veriun, dhe të mos krijojë kakofoni, pasi kështu nuk është aspak produktiv, por përkundrazi krijon situata, të cilat nuk i shërbejnë zgjidhjes së këtij problemi. Unë mendoj se është momenti që, shoqëria kosovare brenda kufijve aktualë të Kosovës, të mendojë për integrimin e mëtejshëm të saj dhe jo për krijimin e formateve, të cilat kanë dështuar në të kaluarën, kështu mendoj se këtë perspektivë që është gjithashtu edhe një perspektivë shumë e rëndësishme europiane, e jep në mënyrën më të saktë plani Ahtisaari për veriun e Kosovës” ka theksuar Haxhinasto.
Ai gjithashtu e ka cilësuar marrëveshjen e arritur për pjesëmarrjen e Kosovës, në iniciativat rajonale, si një arritje për Kosovën, pasi konsolidon veprimin e saj si një subjekt i pavarur ndërkombëtar. “Ajo që mbetet për të bërë, është që kjo marrëveshje të zbatohet nga të gjithë faktorët, duke e respektuar atë ashtu siç është rënë dakort” ka shtuar Haxhinasto.
Nga ana e tij ambasadori Selimi ka theksuar se së bashku me Haxhinaston, kanë diskutuar për shumë zhvillime që janë duke ndodhur në Kosovë, për mundësitë dhe bashkëpunimin në nivele të ndryshme, si në nivelin politik, ekonomik, por edhe atë kulturor në përgjithësi. “Jam shumë i interesuar që këtë nivel bashkëpunimi ta rrisim, ta konkretizojmë edhe më tej. Kështu që është takimi im i parë dhe do të jem çdo herë në bashkëpunim me ministrin, në funksion të ngritjes së bashkëpunimit në të gjitha nivelet” ka theksuar Selimi.