Topi: E vërteta historike, jo në optikën e politikës

Kreu i shtetit Bamir Topi ka pritur sot në takim shkrimtaren dhe publicisten amerikane Kejt Lajnberri, e cila ndodhet në vendin tonë në një mision faktmbledhës, lidhur me ngjarjen e vitit 1943, ku popullsia shqiptare në jug të vendit arriti të shpëtonte dhe strehonte 30 ushtarë amerikanë, pas rrëzimit të një avioni sanitar në nëntor të atij viti.
Presidenti Topi shprehu fillimisht mirënjohjen për mbështetjen e pakursyer të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për heroizmin e mjaft ushtarakëve amerikanë gjatë periudhës së vështirë të Luftës së Dytë Botërore.
Duke u ndalur tek historia e shpëtimit të ushtarakëve e infermierëve amerikanë nga banorë të fshatrave jugore të Shqipërisë, kreu i shtetit vuri në dukje virtytin shqiptar të besës dhe mikpritjes, Topi theksoi se ngjarje të tilla, duhet të shërbejnë edhe si një apel për historianët, në mënyrë që e vërteta dhe faktet historike të mos shtrembërohen sipas optikës së politikës.
Shkrimtarja amerikane, pasi i dorëzoi presidentit një letër nga i vetmi që ka mbetur ende gjallë nga rrëzimi i aeroplanit, nga veterani i ushtrisë amerikane, zoti Harold Hejz, e vlerësoi këtë takim si mjaft të frytshëm.
Në këtë takim ishte e pranishme edhe zëvendës/ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë.