Ilir Meta vlerësohet “Personaliteti më Pozitiv për Politikën e Jashtme gjatë vitit 2010”
Çmimi ju dorëzua nga Stipe Mesiç, ish-President i Kroacisë, njëkohësisht President Nderi i IFIMES
Gjatë vizitës së tij në Slloveni, Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta u vlerësua me Çmimin Ndërkombëtar si “Personaliteti më Pozitiv për Politikën e Jashtme gjatë vitit 2010”, nga Instituti për Studime Ballkanike dhe Lindjen e Mesme IFIMES me qendër në Ljubljanë.
Zyra e shtypit e LSI-së bëri të ditur se gjatë ceremonisë me rastin e 10 vjetorit të krijimit të Institutit IFIMES në Ljubljanë, çmimi iu dorëzua Ilir Metës nga Stjepan Mesiç, ish President i Kroacisë, njëkohësisht President Nderi i IFIMES.
Kreu i LSI-së Ilir Meta u vlerësua si personaliteti më pozitiv për vitin 2010, në kohën kur ishte Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme, për kontributin e tij pozitiv dhe real në mbarëvajtjen e politikës së jashtme të Shqipërisë dhe për ndikimin e tij personal dhe institucional për forcimin e marrëdhënieve të mira rajonale dhe të fqinjësisë së mirë mes vendeve të Ballkanit Perëndimor. Instituti vlerësoi vizionin e Metës në krye të diplomacisë shqiptare si një personalitet politik me peshë në rajon dhe me synim të qartë për të krijuar një rajon më të hapur, më pozitiv dhe më të integruar.
Gjatë fjalës së tij, lideri i LSI-së pasi falënderoi Institutin IFIMES dhe Presidentin Mesiç për këtë çmim u shpreh se “jam krenar që Shqipëria ka ushtruar gjithnjë një politikë të jashtme konstruktive ndaj fqinjëve të saj, duke kontribuar konkretisht për një rajon më të mire. Unë besoj se konstruktiviteti i Shqipërisë buron së pari nga pesha dhe përgjegjësia që ne kemi në rajon, duke qene të rrethuar nga Shqiptarë jashtë kufijve tanë, dhe së dyti, sepse ne i kemi shërbyer gjithnjë interesit tonë kombëtar me pragmatizëm”, deklaroi Meta.
Sipas tij, sa më pak barriera të kemi mes njëri tjetrit, aq më mirë do të jetë për marrëdhëniet tona dhe për jetën e qytetarëve tanë.
“Shqipëria ka marrëdhënie të shkëlqyera më të gjithë fqinjët e saj. Ne kemi hequr barrierat e lëvizjes me Maqedoninë, Malin e Zi dhe me Kosovën. Qytetarët tanë tashmë udhëtojnë vetëm me karta identiteti në vendet respektive. Gjithashtu kemi përmirësuar infrastrukturën tonë për të mundësuar pikërisht lëvizje më të lirë të njerëzve dhe mallrave”, bëri të ditur ai.
Më tej Meta vuri në dukje se “marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë janë kyç për të ardhmen e rajonit. Për këtë arsye vizitova Beogradin dhe Luginën e Preshevës para dy vjetësh, me të vetmin qëllim për të dhënë një mesazh shprese dhe bashkëpunimi në rajon.”
Kreu i LSI-së tha se “Kosova sot është e pavarur. Bashkimi Evropian po përgatit një udhërrëfyes për liberalizimin e vizave si dhe një studim fizibiliteti për nisjen e MSA. E përshëndes marrëveshjen e fundit të arritur mes Serbisë dhe Kosovës si një hap përpara, por tani pikat e marrëveshjes duhen implementuar në terren, me respekt reciprok”.
Duke vënë në dukje se e ardhmja e të gjithë vendeve tona është në BE, Meta tha se “nuk kemi nevojë as për nacionalizëm, as për kufij dhe as për urrejtje. Ne na duhet më tepër dashuri, më tepër shkëmbime njerëzore dhe ekonomike, për të krijuar një rajon të integruar me një të ardhme të sigurt në Evropë. Si politikanë, kemi përgjegjësinë për t’iu përgjigjur vizionit të një të ardhmeje të përbashkët dhe të marrim vendime të vështira dhe të përgjegjshme, që do t’i shërbejnë vetëm prosperitetit dhe stabilitetit të popujve tanë. Ndaj, duhet të veprojmë me pragmatizëm dhe të shohim drejt të ardhmes së fëmijëve tanë, jo prapa drejt të kaluarës së gjyshërve tanë. Ju falënderoj për këtë nderim dhe vlerësim të madh”, u shpreh ai.
Çmime të tjera u ndanë edhe për Presidentin e Gjykatës Kushtetuese të Sllovenisë Dr. Ernest Petriç, ish Kryeministrit të Serbisë Zoran Zhivkoviç, Eurodeputin dhe nënkryetarin e Delegacionit për Evropën Juglindore në Parlamentin Evropian Jelko Kacin, si dhe Amir Ahmiç, zyrtar i Gjykatës së Hagës.