E Diel, 1 Nëntor 2026

Haxhinasto Procesi zgjedhor qe transparent ne perputhje me ligjet

Zv/kryeministri Edmond Haxhinasto, mori pjesë në Samitin e 6-të të Kroacisë, me temë “Dekada e Re për Evropën Juglindore-Finalizimi i Tranzicionit”, i cili u zhvillua më 8-9 korrik në Dubrovnik të Kroacisë.

Në fjalën e tij në këtë samit, Haxhinasto theksoi se rajoni i Ballkanit Perëndimor po ecën në drejtimin e duhur dhe ka bërë ndryshime progresive. Integrimi i këtij rajoni vazhdon të mbetet prioritet në axhendën e Bashkimit Europian.

Lidhur me hapat integruese të Shqipërisë, Haxhinasto tha se Komisioni Europian i ka caktuar vendit tonë 12 prioritete në mënyrë që të marrë statusin e kandidatit dhe tashmë qeveria shqiptare ka një plan për t’i adresuar këto 12 prioritete.

Për situatën politike në Shqipëri, Haxhinasto tha se procesi elektoral ishte transparent në përputhje me ligjet ekzistuese.

Por ajo që nevojitet është një reformë elektorale në të ardhmen, ku të përfshihen dhe rekomandimet e OSBE-ODHIR.

Përsa i përket bashkëpunimit rajonal, Haxhinasto tha se ka një sërë sfidash përpara si: ndërtimi i një infrastrukture të integruar rajonale si dhe lëvizja e kapitaleve dhe njerëzve pa barriera.

Një progres i madh është bërë në lëvizjen e qytetarëve vetëm me karta identiteti në rajon.

Gjithashtu, shtoi ai, rajoni po bashkëpunon dhe në misione ndërkombëtare të sigurisë si në Afganistan por edhe në kuadër të ndihmës për vendet në Veri të Afrikës që ata të përfundojnë tranzicionin e tyre.

Në këtë samit të përvitshëm, ku fokusi vihet tek çështjet e integrimit të Evropës Juglindore në strukturat evropiane dhe transatlantike,merrnin pjesë, krerët e qeverive të rajonit dhe vendeve europiane, zyrtarë nga BE, përfaqësues nga SHBA etj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›