Topalli: Opozita të votojë Gjykatën Administrative
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli priti dje në takim zëvendëspresidenten e Gjykatës Europiane të të drejtave të njeriut, Strasburg, Francoise Tulkens, si dhe Christos Rozakis, president i Gjykatës Administrative të Këshillit të Europës. Duke u uruar mirëseardhjen dy personaliteteve të drejtësisë europiane, Kryetarja e Kuvendit tha se bashkëpunimi me Gjykatën e të drejtave të njeriut në Strasburg mbetet shumë i rëndësishëm për Shqipërinë. Kryetarja e Kuvendit i njohu ata me reformat themelore të miratuara nga parlamenti, në fushën e së drejtës si dhe me sfidat legjislative për forcimin e shtetit ligjor. Topalli tha se një nga çështjet në rend të ditës është edhe ngritja e Gjykatës Administrative, si një institucion shumë i rëndësishëm i sistemit të drejtësisë. “Unë shpresoj, tha ajo që opozita të japë kontributin e saj në parlament për forcimin e shtetit ligjor në Shqipëri, duke votuar edhe ngritjen e kësaj gjykate”. Në takim u diskutua edhe mbi marrëdhëniet e gjykatave shqiptare me Gjykatën e Strasburgut, si dhe për rregullat e shtetit të së drejtës, ku ligji dhe Kushtetuta janë mbi gjithçka.