E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha, brenda 20 ditëve në Bashkinë e Tiranës

Pas vendimit të Kolegjit, procesi zgjedhor në Tiranë mund të konsiderohet i mbyllur, pasi asnjë subjekt zgjedhor që mori pjesë në zgjedhjet e kryeqytetit, nuk mund të bëjë as ankimim administrativ dhe as gjyqësor. Kjo, për shkak të kalimit të afateve ligjore. Për të finalizuar këtë proces, fituesi i zgjedhjeve, Lulëzim Basha do duhet të kryejë dhe disa procedura formale deri në betimin e tij para Këshillit Bashkiak, çka do të përbënte dhe marrjen zyrtare të detyrës. Por, para se të betohet, Basha duhet të paraqitet para Kolegjit për të marrë vendimin e djeshëm, më pas në KQZ për të marrë vendimin me numër 1158, me anë të cilit u shpall fitues. Me këto dy dokumente, do duhet t’i drejtohet një gjyqtari të Gjykatës së Tiranës për të konfirmuar ligjshmërinë e tyre. Me vërtetimin e lëshuar nga Gjykata e Tiranës, Basha do t’i drejtohet sekretarit të Bashkisë, i cili do të organizojë ceremoninë e konstituimit të Këshillit Bashkiak, ku dhe kryetari i ri duhet të bëjë betimin. Në bazë të ligjit “Për Pushtetin Vendor”, e gjithë kjo procedurë duhet të përfundojë brenda 20 ditëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›