E Diel, 1 Nëntor 2026

Haxhinasto: S’ka shkëmbim territoresh apo ndarje të Kosovës

07/06/2011  Ministri Roçen takime në Tiranën zyrtare

Ministri i Jashtëm dhe i Integrimit Evropian të Malit të Zi Milan Roçen gjatë vizitës së tij në vendin tonë u prit dje nga krerë të lartë të Tiranës zyrtare. Kështu, në takime të veçanta ministri malazes Roçen takoi kreun e shtetit shqiptar Bamir Topi, kryeministrin, Sali Berisha dhe zëvendëskryeministrin, njëherësh ministër i Jashtëm, Edmond Haxhinasto. Në këto takime u veçuan pikërisht marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve. Ndërkohë që gjatë bisedës me ministrin e Jashtëm Haxhinasto u ritheksua dhe qëndrimi i qeverisë shqiptare ndaj deklaratave të drejtuesve serbë për ndarje territoresh, duke i cilësuar si teza të dështuara dhe që nuk i ndihmojnë politikanët që i promovojnë ato. “Nëse u referohemi tezave për shkëmbim territoresh apo ndarje të Kosovës, u jemi përgjigjur këtyre tezave dhe u kemi thënë ‘jo’, pasi janë teza arkaike, që nuk kanë asgjë të përbashkët me vizonet që kanë vendet e rajonit për të ardhmen dhe integrimin euroatlantik të tyre”, - u shpreh Haxhinasto.

Gjithashtu ministri Haxhinasto reagoi dhe ndaj qëndrimit të zyrtarëve grekë për heqjen e kombësisë nga certifikatat shqiptare, ku sipas tij “Shqipëria operon në bazë të Kushtetutës dhe jo të deklaratave personale. Këto ligje dhe Kushtetuta jonë janë në përputhje të plotë me ligjet ndërkombëtare dhe detyrimet që kemi ndaj konventave ku aderojmë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›