E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haxhinasto: Statusi jo i rrezikuar, reformat mbyllen me pak vullnet

21-06-2012 / Gazeta 55

Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme thotë se kuadri i reformave po përparon, ndërsa kanë mbetur disa detaje të vogla, të cilat nuk kërkojnë as më shumë as më pak se një dialog mes palëve

Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto shprehet se Shqipëria nuk rrezikon statusin e vendit kandidat në BE, ndërsa ajo që pritet nga klasa politike, është realizimi i reformave. Sipas kryediplomatit shqiptar, në kuadrin e reformave kanë mbetur disa detaje të vogla, të cilat nuk kërkojnë as më shumë as më pak se një dialog mes palëve. Në këtë kontekst përmbushjen e 12 pikëshit të BE nuk e sheh thjesht si një detyrim ndaj ndërkombëtarëve, por në radhë të parë një obligim dhe angazhim ndaj qytetarëve shqiptarë, ndërsa shton se përmbushja e reformave nuk përfundon këtu, por do të vazhdohet me to edhe pas anëtarësimit në BE. Haxhinasto sheh një angazhim të plotë të BE për integrimin e Ballkanit Perëndimor në familjen evropiane, ndërsa lidhur me skepticizmin e opozitës për procesin e zgjedhjes së Kreut të Shtetit, të përcaktuar nga ajo si pengesa numër një për ngeljen në klasë në vjeshtë, Haxhinasto shprehet se opozitës nuk i ka mbetur gjë tjetër përveçse të respektojë institucionin dhe personin e zgjedhur në këtë post. “Është prioritet i BE integrimi i Ballkanit Perëndimor, pasi Europa bëhet e plotë. Mesazhet të qarta u morën edhe gjatë pjesëmarrjes në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së, të gjithë palët vlerësuan pozitivisht procesin, proces që u kurorëzua me një sukses. Së pari procesi ishte i tillë që krijoi mundësinë e gjithsekujt për tu angazhuar me kandidaturat përkatëse. Së dyti produkti ishte zgjedhja e një politikani të suksesshëm me integritet dhe të pakontestueshëm. Tashmë është një moment që secili duhet të respektojë zgjedhjen e Presidentit, si një institucion i rëndësishëm i vendit”- tha ai. Një tjetër moment i rëndësishëm në zhvillimet e këtij viti ishte dhe marrja e presidencës së radhës së KiE, ku Haxhinasto angazhohet për promovim të vlerave themelore të organizatës, garantim të efektshmërisë afatgjatë të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut”, bashkëpunimit rajonal si dhe dialogut ndërkulturor, edukimin e tolerancës në veçanti për brezin e ri dhe bashkëjetesën. Në këtë kontekst ai shprehu dhe angazhimin për mbështetje të Kosovës në rrugën integruese. Duke mbetur tek Kosova, i pyetur nëse ka një vëmendje të veçantë nga Shqipëria dhe se a pritet të rifillojnë bisedimet Kosovë-Serbi ai përgjigjet: “Vëmendja ndaj faktorit shqiptar është një detyrim kushtetues i Shqipërisë por dhe një strategji. Ne mbështesim këto procese integrimi për secilin vend të rajonit. Edhe deklarata ishte një proces tërësisht parimor, pasi marrëveshjet që arrihen janë shumë të rëndësishme dhe si të tilla duhet ti përmbahet çdo vend, nuk është kërkesë specifike e Shqipërisë por vlerë themelore e BE. Nuk është vëmendje e ekzagjeruar ndaj Kosovës, kjo gjuhë që ne përdorim s`janë as më shumë as më pak por vetëm qëndrimet e BE. Marrëveshja Kosovë-Serbi ka në thelb që Kosova të përfaqësohet në gjithë organizimet rajonale, standard që nuk mund të injorohet. Nuk dëshiroj të bëj hamendësime por dua të them që marrëveshjet e arritura duhet të realizohen, pasi është baza që krijon besim mes palëve, që ajo që arrihet do të respektohet. Uroj dhe shpresoj që të ketë një përqasje sa i përket dialogut të ardhshëm dhe pastaj duhet pasur parasysh që ky model dialogu do jetë një vlerë e mirëfilltë evropiane që përcakton se secili nga vendet është e angazhuar për të shkuar drejt BE”- tha ai.
Zv/kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme Edmond Haxhinasto deklaron se me Nikoliç apo këdo tjetër në krye, Serbia duhet tu përmbahet detyrimeve që ka ndaj BE-së. Sa i përket veriut të Kosovës, ai deklaron se kjo çështje duhet të marrë një zgjidhje përfundimtare dhe jo të përdoret politikisht nga Beogradi. “Mendoj se nuk duhet paragjykuar kush është President, mendoj se Serbia duhet ti përmbahet detyrimeve ndërkombëtare, mbeten për tu parë politikat dhe qëndrimet e ardhshme që do të mbajë Presidenca apo dhe vetë Qeveria e ardhshme e Serbisë. Aktualisht ka detyrime rajonale, më pas do mbajë presidencën e OSBE-së dhe besoj se do ti realizojë këto detyrime. Kemi kërkuar në mënyrë permanente zgjidhjen e çështjes së veriut. Është çështje themelore, veriu e ka një zgjidhje, çështja është se si to përcaktohet strategjia e kësaj zgjidhje. Me strukturat paralele nuk mund të krijohet klimë për zgjidhje as besim. Gjithsecili duhet të lexojë me qetësi pakon e Ahtisarit. Veriu nuk duhet përdorur politikisht nga Beogradi. Jeta e komuniteteve atje është shumë më e rëndësishme sesa interesat politike të kujtdo”- u shpreh më tej kryediplomati shqiptar, Edmod Haxhinasto.

 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›