Imami-Arvizu: Operacionet e përbashkëta, për të përmirësuar sigurinë kufitare detare
Zhvillohet takimi ndërministerial për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet QNOD-së dhe Flotës së Gjashtë Amerikane
Në vijim të forcimit të bashkëpunimit ndërmjet Qendrës Ndërinstitucionale Operacionale Detare (QNOD) dhe Flotës së 6-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u zhvillua sot në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes takimi ndërministerial me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të 7 ministrive që ndërveprojnë me këtë Qendër dhe përfaqësuesve të palës amerikane. Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi mbi ecurinë e deritanishme të funksionimit të kësaj Qendre, si dhe për përcaktimin e detyrave për secilin institucion me qëllim përmirësimin e mëtejshëm të operacioneve në ruajtjen dhe sigurinë kufitare detare.
Në këtë takim ishin të pranishëm: ministri i Mbrojtjes, z. Arben Imami, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, z. Aleksandër Arvizu, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, përfaqësuesi i ICITAP-it, z. Mark Stickevers, zv/ministri Financave Nezir Haldeda, zv/ministria e Kulturës, znj. Zana Turku, zv/ministri i Brendshëm, z. Avenir Peka, drejtor të Drejtorive të Përgjithshme që ndërlidhen dhe ndërveprojnë me QNOD si ajo Policisë Kufitare, i Administrimit të Ujrave, i Doganeave, atasheu ushtarak amerikan në vendin tonë, kolonel Glenn Broën, zëvendëskomandanti i Flotës Detare, Kapiten i Rang. të I-rë, Ferdinand Kreshpani etj.
Në fjalën e tij, ministri i Mbrojtjes z. Arben Imami, duke iu drejtuar të gjithë aktorëve kryesor të funksionimit të kësaj Qendre, u shpreh: “Jam i lumtur që të gjithë aktorët janë sot këtu për të marrë në shqyrtim një nga veprimtaritë më të rëndësishme që Qendra Ndërinstitucionale Operacionale Detare pati gjatë vitit të shkuar në stërvitjen e përbashkët me Flotën e Gjashtë Amerikane, si dhe për të nxjerrë disa mësime nga kjo stërvitje. Do të ishte e nevojshme që të shtojmë më tej bashkëpunimin në këtë nivel ndëroperacional. Padyshim që QNOD është një nga sukseset e rëndësishme të kësaj qeverie. Qendra është një model gjithashtu për vendet e rajonit, për çka unë kam pasur në vijimësi vlerësimet më të mira nga kolegët e mi të Ministrive të Mbrojtjes të vendeve të Ballkanit, po ashtu edhe të Italisë dhe vendeve të tjera mike dhe partnere”, - nënvizoi, ndër të tjera, ministri Imami.
Në mënyrë të veçantë ministri i Mbrojtjes Imami falenderoi nëpërmjet Ambasadorit Arvizu, për ndihmën, përkrahjen dhe mbështetjen e pakontestueshme që qeveria e SHBA-së ka dhënë për vendin tonë e në mënyrë të veçantë për funksionimin e QNOD-së. “Partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Europian ka qenë krucial për konceptimin e kësaj Qendre, për mbështetjen e saj, për përgatitjen e të gjitha rregulloreve që rregullojnë bashkëmenaxhimin dhe ndërveprimin midis agjencive shtetërore të Republikës së Shqipërisë, po kështu na japin mundësinë që të bashkëpunojmë me partnerët tanë euroatlantik”, - ka theksuar ministri Imami.
Nga ana e tij, ambasadori i SHBA në Tiranë, z. Aleksandër Arvizu e vlerësoi maksimalisht rëndësinë e kësaj Qendre, si dhe shprehu mbështetjen që vendi i tij i jep në vazhdimësi institucioneve përgjegjëse në këtë Qendër. “Vjeshtën e shkuar zyra e Atasheut të Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës mblodhi së bashku anëtarë të Flotës së 6-të Amerikane, përfaqësues të ICITAP, Misionit të Asistencës së Policisë së Shtetit, nga Komiteti Europian, si dhe CUBIC për të ndihmuar në bashkëpunimin me zyrtarët e Qendrës Ndërinstitucionale Operacionale Detare, që është një koncept shumëvjeçar për ndihmën dhe zhvillimin e saj”. Në vijim të fjalës së tij ambasadori Arvizu ka nënvizuar përpjekjet e përbashkëta për ta ndihmuar QNOD-në. Ai është ndalur sidomos përreth një seri stërvitjesh gjithmonë e më të ndërlikuara të QNOD-së dhe Marinës së SHBA, për të përmirësuar operacionet e sigurisë kufitare detare. Këto stërvitje praktike përfshin: zbulimin, hetimin, identifikimin, ndalimin, kapjen dhe mbylljen e incidenteve. Të gjitha këto elementë janë të nevojshëm për një funksionim të plotë dhe aktiv të QNOD-së. “Qeveria e SHBA mbështet QNOD-në dhe konceptin e zhvillimit të stërvitjeve praktike, sepse vetëm nëpërmjet të punuarit në mënyrë bashkëpunuese dhe praktike në kushte reale, mundet që QNOD-ja të zhvillohet ashtu sikurse është konceptuar dhe menduar. Sa më shumë t’i mundësohet QNOD-së që të punojë së bashku me zhvillimin e këtyre stërvitjeve dhe më pas të zbatoj mësimet e nxëna, aq më e aftë do të bëhet QNOD, në përmbushjen e objektivave strategjike të sigurisë detare”, - ka theksuar ambasadori Arvizu.
Ky takim ndërdikasterial zhvillohet pas një sërë stërvitjesh të përbashkët të organizuar ndërmjet Qendrës Ndërinstitucionale Operacionale Detare (QNOD) dhe Flotës së 6-të Amerikane. Në fokus të diskutimeve kanë qenë arritjet e deritanishme në bazë të rekomandimeve të ardhura nga ndërkombëtarët, si dhe janë shtruar kërkesat për të ardhmen. Këto stërvitje dhe rekomandime nuk janë vetëm në interes të QNOD-së, por edhe të palës amerikane. Konkluzionet e nxjerra nga ky takim do të shtrojnë detyra të reja për ministritë përkatëse dhe institucionet përgjegjëse.
Qendra Ndërinstitucionale Operacionale Detare është institucion kombëtar që garanton ushtrimin e sovranitetit dhe të drejtave sovrane të shtetit shqiptar në hapësirën detare nëpërmjet menaxhimit të integruar të burimeve dhe aseteve kombëtare të institucioneve që kanë përgjegjësi dhe interesa në det. Nevoja për shfrytëzimin racional e të gjitha resurseve dhe aseteve civile dhe ushtarake, për të ushtruar kontrollin e zbatimit të ligjshmërisë në hapësirën detare realizohet me anë të akteve ligjore e nënligjore në fuqi.