“Zgjedhja e Nishanit, proces Kushtetues - Rikthimi i Nanos, për bashkimin e së majtës”

Islami: Rama s’mori pjesë në votim, sepse e dinte që deputetët do votonin “pro”
Deputeti i pavarur Kastriot Islami thotë se Edi Rama u detyrua të tërhiqet nga procesi i zgjedhjes së Presidentit, sepse nuk kontrollon grupin parlamentar. Islami e kritikoi këtë qëndrim të kryesocialistit, duke kujtuar se pranoi humbjen pa u futur në garë. Islami komentoi dhe votën e tij, të cilën e quajti koherente në qëndrimin kundër bojkotit. “Unë do ta maksimalizoja votën time për të shmangur zgjedhjet e parakohshme”, tha ai. Duke shtuar se zgjedhjet e parakohshme ishin një realitet i pamundur. “U vendos që të ketë stabilitet të mandateve dhe nëpërmjet ndryshimeve në Kushtetutë të hiqet dorë nga hilet politike të cilat shantazhojnë parlamentin për zgjedhje të parakohshme”, tha Islami. Ai shtoi se “në një situatë të tillë ekonomike, do ishin mbingarkesë zgjedhjet politike, të cilat mund ta fusnin vendin në një kolaps si Greqia”. “Nuk ishte momenti për zgjedhje të parakohshme”, u shpreh Islami. Gjithashtu Islami vlerësoi edhe kontributin e LSI-së në procesin e zgjedhjes së presidentit. Duke u ndalur konkretisht te qëndrimi i PS-së në procesin e zgjedhjes së Presidentit, Islami tha se “PS duhet të kishte paraqitur kandidatura për president”. “PS luajti një lojë të dobët në procesin e zgjedhjes së Presidentit të vendit. Kjo forcë politike është në minorancë dhe nuk duhet të kishte pasur frikë për të paraqitur kandidatura”, tha Islami duke e konsideruar bojkotin në votim, shumë të rëndë dhe tregues të problemeve brenda PS-së. “Fakti që grupi i PS-së nuk erdhi qoftë edhe për të votuar kundra do të thotë që ka probleme dhe la hapësirë që të bëhet ky interpretim”, vijoi ai. Islami tha se PS nuk ka një formulë inteligjente bashkëpunimi dhe një e majtë e përçarë nuk mund t’i fitojë zgjedhjet. Përsa i takon lëvizjes së Fatos Nanos, ish-deputeti i PS-së shprehet se, nëse kjo është një lëvizje që synon bashkimin e së majtës atëherë do të jetë një vlerë e shtuar