E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeparlamtentarja Topalli: Bllokimi i reformës zgjedhore, në dëm të vendit, por edhe të vetë opozitës

21-06-2012 / Gazeta 55

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli u takua dje me Drejtorin për Zgjerimin e BE dhe Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Jashtme, në Mbretërinë e Bashkuar, z. Ouen Jenkins, i cili shoqërohej nga ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, në Tiranë, z. Nicholas Cannon OBE. Duke i uruar mirëseardhjen në Kuvendin e Shqipërisë, Kryetarja Jozefina Topalli vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Britanisë së Madhe ndaj përpjekjeve të Shqipërisë në proceset integruese, në kontributin e saj për çështjen e pavarësisë së Kosovës dhe në tërësi për stabilitetin dhe paqen në Ballkanin. “Shqipëria ka kryer transformime të mëdha, është një model progresi ekonomik, me një rol aktiv dhe konstruktiv në rajon. Unë mendoj, tha Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli se, marrja e statusit të vendit Kandidat, përbën një inkurajim të jashtëzakonshëm për të gjithë shqiptarët në të ardhmen e tyre në BE. Nga ana e tij Drejtori për Zgjerimin e BE dhe Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Jashtme britanike, z. Ouen Jenkins vlerësoi ecurinë e Shqipërisë në rrugën e integrimit,  përpjekjet e vazhdueshme për përmbushjen e rekomandimeve të BE dhe qëndrimin e saj si faktor me ndikim në stabilitetin e rajonit. Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli e njohu Drejtorin britanik Jenkins me procesin e zgjedhjes në Kuvend të Presidentit të Republikës brenda kornizës, afateve, frymës dhe germës së Kushtetutës. Kryetarja e Kuvendit u ndal në mënyrë të veçantë në punën e Kuvendit të Shqipërisë për përmbylljen e plotë të reformës zgjedhore ne përputhje me rekomandimet e OSBE-ODHIR, si dhe përfundimin  e reformës parlamentare. “Meqë më shumë se  90% e punës është e përfunduar, zonja Jozefina Topalli u shpreh se, bllokimi në fund i kësaj reforme, dëmton vendin, por edhe vetë opozitën. Kryetarja Jozefina Topalli tha se mazhoranca ka shprehur të gjithë vullnetin e saj për heqjen e imunitetit të deputetëve dhe zyrtarëve të lartë dhe mbetet e hapur për çdo propozim të opozitës.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›