E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haxhinasto: TAP, më i avantazhuar se Nabucco, në të gjitha drejtimet

16-02-2013 / Gazeta 55

Ministri i METE: Optimist për përzgjedhjen e këtij projekti – hapen 20 mijë vende pune

Firmosja e marrëveshjes për projektin e gazsjellësit Trans Adriatik Pipeline (TAP) mes Italisë, Greqisë dhe Shqipërisë është cilësuar si një zhvillim i jashtëzakonshëm për vendin. Ministri i Ekonomisë, Edmond Haxhinasto, vlerësoi se ky projekt i jep mundësinë Shqipërisë të jetë pjesë e rrjetit europian të gazit, duke ofruar ngrohje në çdo shtëpi me çmim më të lirë. Sipas Haxhinastos, projekti TAP, që ka më shumë avantazhe ndaj projektit Nabucco, ka një impakt të madh në ekonominë Shqiptare pasi pritet të hapen rreth 20 mijë vende pune. Vendimet e fundit të qeverisë për heqjen e TVSH-së për makineritë dhe pajisjet bujqësore, janë vlerësuar nga ministri si politika nxitëse për investime në Shqipëri. Sipas tij, heqja e TVSH-së lehtëson barrën fiskale ndaj biznesit duke bërë që vlerën monetare që më parë e shpenzonin në makineri, ta investojnë për rritjen e prodhimit dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
Panariti: Marrëveshja për TAP, rezultat i bashkëpunimit të shkëlqyer mes tre vendeve/Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti, zhvilloi dje një takim me ambasadorët e Italisë dhe Greqisë, Massimo Gaiani dhe Leonidas Rokanas. Gjatë takimit u përshëndet nënshkrimi i marrëveshjes ndërqeveritare për ndërtimin e gazsjellësit “Trans Adriatic Pipeline”, duke e vlerësuar këtë arritje si rezultat i një bashkëpunimi të shkëlqyer mes qeverive të të tre vendeve, bashkëpunim i cili do të vazhdojë edhe në të ardhmen, në të gjitha drejtimet. Bashkëbiseduesit evidentuan rëndësinë strategjike dhe ekonomike të këtij projekti madhor, jo vetëm për tre vendet, por për gjithë rajonin tonë dhe vetë sigurinë energjetike të Evropës. Ministri Panariti theksoi rëndësinë e përpunimit të një agjende të përbashkët mes tre vendeve, për çuarjen përpara të projektit TAP, i cili do të jetë një urë e rëndësishme që do të lidhë më shumë Shqipërinë me dy vende anëtare të BE-së, Greqinë dhe Italinë, vendet e rajonit mes tyre, si dhe do të forcojë më tej vizionin e përbashkët për bashkëpunim dhe integrim evropian.

 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›