E Diel, 1 Nëntor 2026

Haxhinasto: Trupat shqiptare në Afganistan, kontribut për paqen

Gjermani- Kontributi i Shqipërisë përkrah ndërkombëtarëve në vendosjen e paqes në Afganistan do të vazhdojë. Trupat shqiptare në Afganistan do të qëndrojnë edhe pas vitit 2014 dhe do të jenë kontribut për paqen së bashku me komunitetin ndërkombëtar.

Kështu është shprehur ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, në konferencën ndërkombëtare për Afganistanin që është zhvilluar sot në Bon të Gjermanisë.

Gjithashtu ai ka theksuar se Shqipëria është një pjesëtare aktive e përpjekjeve të Komunitetit Ndërkombëtar për të garantuar një Afganistan të qëndrueshëm, në paqe dhe zhvillim.

Shqipëria mbështet përpjekjet e Afganistanit për të marrë të gjitha përgjegjësitë lidhur me sigurinë në vend dhe më tej përshëndet vendimin e marrë nga Presidenti Karzai për të kaluar në fazën e dytë të këtij tranzicioni- tha Haxhinasto.

Ministri Haxhinasto nuk ka lënë pa kujtuar se Shqipëria ka aktualisht në Afganistan 333 ushtarakë dhe policë, të cilët janë vendosur në disa zona sensitive.

Vendi ynë i kushton një rëndësi të veçantë zhvillimit të kapaciteteve afgane dhe zhvillimit shoqëror në vend dhe për këtë qëllim janë dërguar në Afganistan oficerë të policisë shqiptare, të cilët janë angazhuar në trajnimin e forcave afgane të policisë.  Duke vlerësuar nevojat e domosdoshme në Afganistan, vendi ynë po shqyrton mundësinë që të rrisë kontributin e tij në këtë vend- tha ai.

Forcimi i paqes dhe i sigurisë në Afganistan, nënvizoi Haxhinasto, nuk mund të arrihet vetëm me mjete dhe rrugë ushtarake, por edhe duke forcuar dimensionin civil të asistencës.

Shkrime të tjera me interes:

  1. Haxhinasto: Shqipëria aktive në misionet e NATO-s
  2. Plani i sigurisë në Afganistan, zbulohet nga talebanët
  3. Peters-Haxhinasto: Shqipëria, një treg rajonal në zhvillim

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›