E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haxhinasto-Williamson: EULEX, juridiksion të plotë për hetimin

Zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtëm z. Edmond Haxhinasto zhvilloi sot një takim me Kryeprokurorin e EULEX-it, Ambasadorin John Clint Williamson, i mandatuar për hetimin e akuzave të ngritura në raportin e senatorit zviceran Dick Marty.

Ministri Haxhinasto siguroi Williamson për mbështetjen dhe bashkëpunimin e plotë të autoriteteve shqiptare, me qëllim sigurimin e një hetimi të plotë dhe gjithëpërfshirës.

Gjithashtu, Ministri Haxhinasto theksoi se EULEX-i ka patur dhe do të vijojë të ketë mbështetjen maksimale të autoriteteve shqiptare si i vetmi organ zyrtar që ka juridiksionin, aftësinë dhe kapacitetet e duhura për të hetuar lidhur me çështjet e ngritura në raport.

Nga ana e tij, prokurori i EULEX-it Williamson vlerësoi mbështetjen dhe gatishmërinë e ofruar nga autoritetet më të larta të vendit, në bashkëpunim me këtë organ hetimor të Eulex-it.

Kjo është vizita e dytë që prokurori Williamson zhvillon në Tiranë pas asaj të zhvilluar në 11 nëntor 2011, kur ai zhvilloi takime me autoritetet shqiptare në lidhje me hetimet për trafikim organesh.

Në një raport të dhjetorit të vitit 2010 ish-reporteri i Këshillit të Evropës, Dick Marty,akuzon luftëtarët e UÇK-së, përfshi kryeministrin Hashim Thaçi, për krim të organizuar dhe trafik të organeve, të marra nga të burgosurit serb, por edhe të tjerë, në Shqipëri.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›