E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS do të votojë pro heqjes së imunitetit për tre deputetët

Madje janë gati ta lënë mbrojtjen ligjore në bllok për t'u vënë në dispozicion të hetimit për ngjarjet e 21 janarit. Konfirmimi për "AS" është i deputetit të PS, Eduart Shalsi, i cili shton se forca më e madhe opozitare kërkon që për 21 janarin të dalë e vërteta e plotë.

"Ne nuk kemi frikë nga asnjë gjë, madje jemi ne shumë më tepër të interesuar për tu zbardhur e vërteta. Pala tjetër ka një arsye madhore. E kan theksuar dhe vetë deputetët, ne jemi për transparencë dhe jemi të gatshëm të vihemi në bllok në dispozicion të drejtësisë", deklaroi Shalsi.

Deputeti socialist thotë se 21 janari është prova e madhe e drejtësisë shqiptare për të nxjerrë përgjegjësit e vërtetë. "Prokuroria e Përgjithshme ka dhënë një provë, shpresojmë që të vijoj të zbardhë të vërtetën e 21 janarit. Ajo që ende po vonon të ndodhë është marrja në pyetje, si të pandehur të Lulëzim Bashës e Sali Berishës",- tha deputeti socialist Shalsi.

Ditën e premte Këshilli i Imuniteteve dhe i Mandateve do të nisë seancën e parë dëgjimore me deputetin socialist Tom Doshi, për të vijuar më pas me dy deputetët e tjerë, Baraj e Balla, me të njëjtën procedure për të kaluar më pas në seancë parlamentare. /Start/

                                                                                             2012-01-25 17:32
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›