Shulc: Dialogu me Kosovën, faktor i rëndësishëm për rrugën evropiane të Serbinë
Presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Shulc, ka deklaruar se Serbia e meriton statusin e kandidatit për BE, por patjetër duhet të përmbushë kushtet e parashtruara për integrimin evropian.
Sipas tij, Serbia për të rritur gjasat që të bëhet kandidat për BE në mars, duhet të vazhdojë përparimin në normalizimin e lidhjeve me Prishtinën.
“Dialogu me Kosovën është një faktor i rëndësishëm i rrugës së qasjes së Serbisë. Dy palët duhet të bisedojnë për çështje shumë konkrete, siç është njohja e diplomave, energjetika, tregtia dhe telekomunikacioni. Beogradi dhe Prishtina gjithashtu duhet plotësisht të implementojnë marrëveshjet tashmë të arritura në dialogun në të cilin e ndërmjetëson BE”, është shprehur Shulc në një intervistë për gazetën “Veçernje novosti”.
Pyetjes nëse për të është i pranueshëm modeli i “dy Gjermanive” për zgjidhjen e raporteve reciproke të Serbisë dhe Kosovës, Shulc I është përgjigjur duke thënë se kjo nuk është krahasimi i duhur.
“Konteksti historik, politik dhe diplomatik ka qenë goxha ndryshe. Me rëndësi është që Serbia dhe Kosova gradualisht të normalizojnë marrëdhëniet në mënyrë pragmatike. Ekzistojnë shumë çështje të cilat mund të zgjidhen, pa fokusim në tema të mëdha”, ka thënë kreu i Parlamentit Evropian, Martin Shulc. / Kosova.com