Haxhinasto flet në PE: Të vendosur për reformat

Shqipëria ka realizuar shumicën e reformave dhe është në përfundim të pjesës së mbetur. Kështu deklaroi ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto në komisonin e jashtëm të Parlamentit Europian, ku po diskutohet për situatën në Shqipëri dhe plotësimin e 12 rekomandimeve të kërkuara për anëtarësim. Haxhinasto shprehu vendosmërinë e Qeverisë për luftën ndaj korrupsionit, si dhe rolin e vazhdueshëm të Shqipërisë në stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal.
“Lufta kundër korrupsionit vazhdon të jetë një prioritet për qeverinë shqiptare. Partitë janë pranë një marrëveshjeje për heqjen e imunitetit për zyrtarët e lartë. Shqipëria ka një kornizë ligjore domethënëse për respektimin e të drejtave të njeriut. Censusi u zhvillua sipas standardeve ndërkombëtare. Kemi besim që ky do të jetë viti që Shqipëria do të ndërmarrë hapa të rëndësishëm në rrugën e integrimit në BE. Ka pasur progres të dukshëm në të gjitha fushat. Jemi të vetëdijshëm për të gjitha sfidat që kemi përpara Është besimi jonë se ne do të ndryshojmë të gjitha problemet që mund të kenë vendet brenda rajonit, Parlamenti miratoi projektligjin për bashkëpunmimin me EULEX dhe atë të taskforcës. Kemi marrë dhe zhvillime të tjera drejt hapjes së tregut me vendet e tjera. Vëmendje të vecantë i kushtojmë marrëdhënieve ndërmjet vendeve. Shqipëria do të përkushtohet për stabilitetin në rajon”, tha ministri Haxhinasto.
Ndërkaq nuk ka qenë kaq optimist raportimi i përfaqësuesit të opozitës Ditmir Bushati, pjesë e delegeacioni shqiptar, i cili tërhoqi vëmendjen për përshpejtim të reformës zgjedhore, implementimi të ref. parlamentare dhe plotësimin e vendeve vakante në Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë. Megjithatë ai garantoi se opozita do të kontribuojë me të gjitha mënyrat për të finalizuar me sukses procesin e integrimit, kryesisht në miratimin e ligjeve me 3/5.
“Kemi vendosur një pakt mes partive në parlament për reformën parlamentare dhe përmiratimin e të gjitha ligjeve të mundshme. Nga nëntori deri sot disa nga paktet janë respektuar, por jo të gjitha.Kur Kryeministri i adresohet parlamentit lideri i opozitës duhet të ketë të drejtën për t`u përgjigjur. Procudeura e votimit për gjykatën e lartë dhe kushtuese ka qenë të politizuara. Pjesa më e madhe e kandidatëve të presidentit topi janë hedhur poshtë nga mazhoranca. Gjykata e lartë ka mbetur me 16 në vend të 17 anëtarëve. Do vazhdojmë të japim kontributin tonë për cështje të tjera që kërkojnë 3/5 në parlament dhe për të cuar përpara reformat. Kërkojmë nga qeveria që t`i kthejë fjalët në vepra", tha Bushati.
Ndërsa ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu në fjalën e saj vlerësoi bashkëpunimin ndërmjet mazhorancës dhe opozitës dhe siguroi përfaqësuesit në komisionin e PE-së se do të punohet për implementimin e të gjitha rekomandimeve, dhe se pavarsisht se do të ketë kundërshtime mes palëve do të prevalojë dialogu dhe konstruktiviteti.