E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Çahet” bashkëpunimi, Berisha: Jo propozimit për KQZ-në

 Socialistët kërkojnë që kryetari i KQZ-së të propozohet nga Presidenti i Republikës ose nga institucione të pavarura. Sipas Kryeminsitrit, Rama po e bllokon reformën në minutën e fundit.

“Një vendim të drejtë, ne vendosëm që Avokatin e Popullit të propozojë opozita dhe kemi vepruar shumë drejt. Si avokat i të drejtave të qytetarëve më mirë të jetë prurje nga opozita se sa nga opozita, mirëpo, z. Rama thotë që kandidaturat për kryetar të KQZ-së të propozohet nga Avokati i Popullit, të cilin e zgjodhi nga Partia Socialiste. Gjëra që kërkojnë me çdo kusht të deligjitimojë shumicën, janë absurde”, theksoi Berisha.

Ai shtoi se të dyja palët e kanë hequr me konsensus të plotë që propozimin ta bëjë Presidenti i Republikës. “Absolutisht, asnjëra dhe as tjetra nuk do të pranohen. Së pari, ombusmeni, ne nuk e votuam që të na emërojë kryetarin e KQZ-së dhe kjo vetëm sa e lëndon dhe e politizon këtë institucion. Vërtetë ishte një prurje politike, por ai duhet të kryej detyrat e vërteta shumë të rëndësishme për qytetarët. Sa për Presidentin, ne e kishim dhe e hoqëm, pavarësisht nëse ishte Bamiri apo dikush tjetër”, shtoi ai.

Berisha hodhi akuza në drejtim të liderit socialist akuza të ashpra, duke rikthyer akuza të tilla si neobllokmenët, që sipas kryeministrit, me psikologjinë e tyre përdorin pushtetin për të bllokuar vendin.

"Më datë 11 prill unë isha në Bruksel dhe po pija kafe me një zyrtar të lartë të Brukselit. Atë ditë ai bllokoi të gjithë reformën dhe më pyet mua se çfarë ndodhi. Ndodhi vetëm kjo: pati frikë se mund të thuhet për Shqipërinë ndonjë fjalë e mirë. Sa u mbyll mbledhja në Bruksel urdhëroi grupin e vet të votonte në darkë në Parlament. Nesër është Këshilli i Integrimit në Bruksel, ku ne përfaqësohemi nga ministri i Jashtëm dhe nga ajo e Integrimit. Blloku është operativ në tërë praktikën e politikës së vet. Kjo është psikologjia e neobllokmenëve, që e përdorin këtë pushtet për të bllokuar vendin. E kemi hequr nga qendra e Tiranës dhe e kemi futur në Partinë Socialiste me të gjithë dhelpëritë”, shtoi ai.

“Nesër është mbledhja në Bruksel dhe të gjithë do të donin të përshëndesnin edhe finalizimin e reformës zgjedhore, ku opozita propozoi mendimet për të gjitha rekomandimet. Mazhoranca i pranoi dhe ODIHR-i nuk i pranoi disa dhe ne pranojmë atë çfarë thotë ky institucion që është garant i standardeve ndërkombëtare. Thotë ta propozojë edhe MJAFT-i i Erion Velisë, apo të propozojnë kuqezinjtë në emër të tij. Bashkëpunimi 4 mujor shkon dhe bllokohet sepse duhet ta propozojë ombusmeni”, vijoi.

Për sa i përket nismës për numërimin elektronik të votave i rrëzuar nga ODIHR-i, Berisha tha se një propozim të tillë e ka bërë vetë partia socialiste. “Dua t’i them Z. Rama, zgjedhjet dhe ligjet janë edhe çështje besimi, sepse opozita që në fillim nisi militarizimin e procesit. Kërkuan me insistim instalimin e teknologjive. Ata që ishin aty i lidhën me tespi, i numëruan vetë të gjitha zonat. Dy probleme dolën në Londër, mbingarkesë dhe bllokim i makinave dhe ndërprerje e energjisë elektrike. Ata e kapërcyen, ndërsa në Shqipëri se kapërcen dot. ODIHR-i kërkon siguri maksimale në zgjedhje, por ai kërkon që të mos ketë mospërfshirje të zgjedhësve. Rekomandohet që të kryhet një studim i zbatueshmërisë para futjes në përdorim. Ne do të pranojmë rekomandimet e ODIHR-it për zgjidhjen e problematikës në zgjedhje”, nënvizoi.

"Një milion të papunët"

Berisha foli gjithashtu edhe për projektet e qeverisë për zhvillimin e fshatit dhe papunësinë në vend, duke akuzuar kreun e opozitës, se mashtron me shifrat sipas të cilit në vend ka 1 milion të papunë. “Nëse Rama u thotë shqiptarëve se 860 mijë shqiptarë janë të papunë dhe nuk shkojnë tek zyrat e regjistrimit, këtë ua beson vetëm fabrika e tij e mashtrimit që ia jep këto shifra. Ai ngatërron forcën e punës me të papunët. Pra, këto projekte janë një nxitje e fuqishme e punësimit në vend. Me mijëra kilometra rrugë, qindra shkolla, 130 ujësjellës që ndërtohen. Të paktën të thërrasë një nga zotëritë që njeh problemin në partinë e tij dhe t’ia shpjegoj si qëndron. Imagjino një njeri që pretendon të marrë pushtetin, si mund ta marrë në këtë drejtim. Ai ka platformën e diktatorit të fundit. Nuk them se nuk ka papunësi dhe mjerim, por nuk mund të thuash se ka 1 milion të papunë, se një infermiere paguan 130 herë më shumë taksa se ç’paguante. Këtë i thotë një njeri që ka mbetur vetëm në stadin e ngjyrave dhe nuk mund të arrijë tek statistikat. Infermierja kishte një rrogë 130 mijë lekë dhe sot ka 350 mijë lekë. Tani pasi paguan taksën mbetet me 310 mijë. Ku e bën ky këtë matematikë?”, u shpreh kreu i qeverisë. /Saimir Lleshi/Start/

                                                                                             2012-05-14 13:53
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›