Haxhinasto me TIA: Aktivizim të aeroporteve në Sarandë e Kukës
Takimi që ministri i Ekonomisë, Edmond Haxhinasto pati dje me administratoren e Aeroportit të Tiranës, Andrea Gebbken, ka nxjerrë në pah planet për të aktivizuar edhe dy aeroporte të tjerë në vend, atë në Kukës dhe atë në Sarandë. Kjo erdhi pas diskutimit nga ana e palëve lidhur me mundësitë e përbashkëta për rritjen e numrit të pasagjerëve, çka do të kërkojë edhe aktivizim të më shumë aeroporteve në vend. Rritja e numrit të pasagjerëve u vlerësua si një mundësi që mund të arritët edhe përmes zgjerimit të linjave ajrore dhe veçanërisht për vendet e Gjirit. Një pjesë të rëndësishme të takimit e ka zënë edhe biseda rreth investimeve të mëtejshme që mund të realizohen në vijim për aeroportet. Zëvendëskryeministri dhe ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Edond Haxhinasto, i shprehu administratores së TIA-s edhe impaktin që ka dhënë kontrata e kalimit te koncesionari e Aeroportit të Tiranës. Kjo kontratë, sipas kreut të METE-s, ka dhënë një impakt të rëndësishëm në punësim, sidomos për zonën e Rinasit, ku ndodhet aeroporti. Ministri Haxhinasto, që nga ardhja e tij në krye të METE-s, është duke zhvilluar një sërë takimesh me përfaqësues të kompanive të rëndësishme në vendin tonë. Sot pritet që të zhvillohet edhe takimi i radhës me përfaqësues të gazsjellësit TAP.