Ministri Tavo riaktivizon Task-Forcën kundër duhanit

Ministri i Shëndetësisë, Tavo
Është riaktivizuar Task-Forca për zbatimin e ligjit antiduhan, si dhe për mbrojtjen e të miturve nga përdorimi i alkoolit. Ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo, e bëri të ditur dje këtë fakt duke theksuar se përmasat që kanë marrë këto fenomene e bëjnë të nevojshme këtë hap. Të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm se përhapja e duhanpirjes është një problem me pasoja të rënda për shëndetin publik, që kërkon një reagim efektiv, duke reflektuar shqetësimet e komunitetit rreth pasojave shkatërruese shëndetësore, shoqërore, ekonomike dhe mjedisore të konsumimit të duhanit dhe ekspozimit ndaj tymit të duhanit në mjedise publike, tha Tavo. Ai vlerësoi se puna e Task-Forcës e pak kohëve më parë rezultoi të ishte efektive në Tiranë, edhe pse pas deaktivizimit të saj rastet e shkeljeve të ligjit antiduhan nuk është se u zhdukën. Gjithsesi, sipas tij, rëndësi ka fakti që Task-Forca tregoi me punën e saj se ligji mund të zbatohet dhe të jetë efektiv. Riaktivizimi i Task-Forcës përmes urdhrit të ri të ministrit përfshin në aksion për zbatimin e ligjeve edhe një sërë institucionesh të tjera në vend.