E Diel, 1 Nëntor 2026

Haxhinasto:Mbështetje për furnizim me gaz nëpërmjet TAP-it

Ministria e Ekonomisë, Tregëtisë dhe Energjitikës ka organizuar sot një seminar për zhvillimin e tregut të gazit në Shqipëri dhe projektit TAP.
 

Në fjalën e tij Zv. kryeministri dhe njëherësh ministri i Ekonomisë Edmond Haxhinasto ka kërkuar mbështetje për furnizimin me gaz në Shqipëri nëpërmjet TAP-it.
 

Sipas tij duhet financim për lidhjen e objekteve drejt një rrjeti kombëtar ndërsa duhet një diskutim edhe për angazhimet e qarta të TAP në realizimin e Master Planit. “Është me rëndësi jetike që angazhimet të përcaktohen në dokumente ligjorë dhe të detyrueshëm” shtoi Haxhinasto.

Në këtë takim kanë qënë të pranishëm edhe ambasadori i Azerbajxhanit në Shqipëri, Rahman Mustafayev si dhe përfaqësues të kompanisë SOCAR. Gazsjellësi “Trans Adriatik Pipeline” (TAP) është një projekt për transportin e gazit natyral nga rajoni i Lindjes së Mesme, duke ndjekur një rrugë që kalon nëpërmjet Detit Adriatik.

Projekti është publikuar që në vitin 2003 nga kompania zvicerane e energjisë EGL, ndërsa studimi i fizibilitetit për projektin ka përfunduar në vitin 2006.

I cilësuar si korridori i gazit, “TAP” vjen si një burim i ri furnizimi gazi për Europen nga Lindja Mesme, duke ulur në këtë mënyrë ndjeshëm varësinë nga Rusia.

Linja do të fillojë në Greqi afër Thesalonikisë, nëpërmjet detit Adriatik e do të përfundojë në Itali, afër Brindizit. Linja është 520 kilometra e gjatë dhe kostoja e ndërtimit parashikohet të jetë 1.5 miliardë euro.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›