Olldashi në Sarandë, inspekton punimet në terminalin e anijeve

Ministri i transporeteve Sokol Olldashi ka inspektuar punimet në terminalin e anijeve Cruise në Sarandë. Në një komunikim me median, Olldashi pranoi se është akumuluar një vonesë dymujore në punimet e këtij projekti, për shkak të pengesave që vijnë nga sezoni turistik dhe nga operimi me kapacitet i portit ekzistues. Megjithatë, sipas tij kjo vonesë e shkurtër do të rikuperohet në muajt e vjeshtës, pa ndryshuar objektivin e mbylljes tërësore të punimeve brenda dhjetorit 2012.
Brenda fundit të vitit 2012, Saranda do të ketë kalatën e re të anijeve turistike Cruise, ndërkohë që autoritetet portuale të qytetit kanë lidhur tashmë 18 kontratat e para për krocierat që do të vizitojnë qytetin në sezonin e ardhshëm turistik. Po ashtu, parashikohet edhe ndërtimi i landfillit të Bajkajt dhe investime të tjera të rëndësishme si përmirësimi i furnizimit me ujë dhe ndërtimi i impiantit të pastrimit të ujërave të zeza.