E Diel, 1 Nëntor 2026

Haxhinasto në Singapor, arrihet marrëveshja për mbrojtjen e investimeve

TIRANË- Zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme z. Edmond Haxhinasto filloi turin diplomatik në disa vende të Azisë juglindore, me vizitën zyrtare në Singapor.

Gjatë kësaj vizite Ministri Haxhinasto pati takim me Ministrin e Jashtëm, Kryetarin e Parlamentit dhe me përfaqësues të biznesit. Në takimin me Ministrin e Jashtëm të Singaporit, z. K. Shanmugam u diskutua mbi bashkëpunimin dypalësh, forcimin e këtij bashkëpunimi veçanërisht në fushën ekonomike dhe tregtare, si dhe zhvillimet në rajon.

Në takim u konkludua realizimi i marrëveshjes për nxitjen dhe mbrojtjen e investimeve, e cila do të ndihmojë bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar.

Në takim u diskutua edhe për zhvillimet në rajonet respektive. Lidhur me situatën në Ballkanin Perëndimor, Ministri Haxhinasto vlerësoi se marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë krijon një dinamikë të re në rajon. Z. Shanmugam tha se ata do ta rikonsiderojnë qëndrimin për pavarësinë e Kosovës në dritën e zhvillimeve më të fundit atje, dhe në kuadër të perspektivës së integrimit në BE, që kanë të gjitha këto vende të rajonit.
(el.me/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›