E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haxhinasto takon të rinjtë nga Kosova: Shqipëria, kundër referendumit të serbëve në Veri, është i paligjshëm

17-02-2012 / Gazeta 55

Zv. Kryeministri dhe njëherësh ministri i jashtëm Edmond Haxhinasto ka pritur sot një përfaqësi të rinjsh nga Kosova me rastin e katër vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Në fjalën e tij, Haxhinasto ka përsëritur mbështetjen e plotë të Shqipërisë për integrimin e Kosovës në BE dhe NATO dhe ka inkurajuar të rinjtë të vazhdojnë me përgjegjësi punën për të çuar para ëndrrën dhe sfidat evropiane. “Ky përvjetor është një moment shumë i mirë për të kujtuar ato sakrifica që janë bërë nga populli i Kosovës, nga figurat e shquara të saj si ish-presidenti Ibrahim Rrugova si dhe dëshmorët e saj por është e rëndësi të shihet  ajo se çfarë Kosova duhet të arrijë dhe sidoms ju brezi i ri do të keni përgjegjësi të mëdha për ta bërë Kosovën anëtare të Bashkimit Europian” ka theksuar Haxhinasto. Ai ka theksuar se gjatë 4 viteve të Pavarësisë së saj, Kosova ka bërë shumë përpara dhe ka filluar edhe rrugën e sovranitetit të plotë. Sipas tij dialogu me Serbinë është një proces i bazuar në respektin reciprok për atë që përfaqëson çdo vend sovran, ndërsa shtoi se duhet të konkludohet sa më shpejt çdo marrëveshje e arritur në mënyrë që këto marrëveshje të përkthehen në një cilësi më të mirë jete për të dyja vende. “Ne mbështesim rritjen e numrit të njohjeve. Ka dinamika pozitive në vendet që janë në proces njohjeje dhe ky numër po rritet vazhdimisht. Përpara keni një sfidë të madhe, është që ajo të vazhdojë me hapa të sigurtë drejt integrimit, duam sa më shpejt të ketë marrëveshje me BE që do ta vendosë atë në mënyrë të qartë në proces integrimi, mbështesim edhe integrimin në NATO”- ka theksuar më tej Haxhinasto. Ai ka përsëritur edhe njëherë qëndrimin e mbajtur nga qeveria shqiptare kundër referendumit të serbëve në veri të Kosovës duke e cilësuar atë si të pavlerë dhe të paligjshëm.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›