E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova, 4 vjet Shtet i Pavarur, paraqet një histori suksesi

17-02-2012 / Gazeta 55

UPDATE- Kosova shënon sot katër-vjetorin e shpalljes së pavarësisë, e cila është edhe njëra nga datat më të rëndësishme të historisë së deritanishme të vendit. Të mbledhur në Kuvendin e Kosovës, më 17 shkurt të vitit 2008, ligjvënësit kosovarë nënshkruan deklaratën e pavarësisë. Asaj i parapriu një rrugëtim i gjatë në vite, por që nisi të marrë formë në vitet e para të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Filloi me grevën e minatorëve të Trepçës, në mbrojtje të pozitës kushtetuese të Kosovës, për të vazhduar më pas me ndryshimin e Kushtetutës së vitit 1974, protestën e Lëvizjes Studentore, sulmet e forcave serbe në Prekaz e deri te ngjarja që vuri themelet e historisë së re – bombardimet e Aleancës Veriatlantike. Fushata e NATO-s, që nisi më 24 qershor të vitit 1999 dhe që zgjati për plot 78 ditë, u karakterizua me dëbimin masiv që u bënë forcat serbe shqiptarëve të Kosovës, ndërsa rezultoi me kapitullimin e autorit të luftës, Sllobodan Millosheviç. U deshën më shumë se tetë vjet që të miratohet shpallja e koordinuar e pavarësisë ndërmjet Uashingtonit, Brukselit dhe Prishtinës, sipas planit të ish-presidentit finlandez, Marti Ahtisari. Ndërkaq, udhëheqësit më të lartë të institucioneve të Kosovës gjatë një seance solemne të Kuvendit, që u mbajt ditën e djeshme me rastin e katërvjetorit të pavarësisë, theksuan se katër vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova paraqet një histori suksesi. Presidentja Atifete Jahjaga ka thënë se ëndrra e Kosovës për t’u bërë shtet u realizua me sakrificat e mëdha të popullit dhe ndihmën e madhe nga shtetet aleate, me në krye SHBA-të. Kryeministri Hashim Thaçi ka theksuar se 17 Shkurti i vitit 2008 paraqet datën më kulmore të historisë së Kosovës, ndërsa shtoi se Kosova ka treguar sukses, me të cilin mund të krenohet bashkë me partnerët ndërkombëtarë. Kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka deklaruar se shpallja e pavarësisë ishte sublimim i aspiratave shekullore të popullit të Kosovës. Sipas tij, për katër vjet të pavarësisë, Kosova ka shënuar shumë përparime, por si një shtet i ri ende ka shumë sfida.

Berisha uron Thaçin: Në këto 4 vjet Kosova dëshmoi progres domethënës në ndërtimin dhe konsolidimin e institucioneve demokratike dhe forcimin e shtetit ligjor

Kryeministri Berisha ka uruar sot homologun e tij kosovar Hashim Thaçi me rastin e 4 vjetorit të pavarësisë së Kosovës. “Kremtimi i shpalljes së Republikës së Kosovës, shtet i pavarur e sovran më jep kënaqësinë dhe privilegjin e veçantë, që në emrin tim dhe të Qeverisë Shqiptare t’ju përcjell Juve dhe, përmes Jush, të gjithë popullit të Kosovës, përshëndetjet e mia më të ngrohta vëllazërore dhe urimet më të mira”- thekson Berisha në mesazhin drejtuar homologut të tij, Thaçi. Kreu i qeverisë vlerëson se “në këto katër vjet Kosova ka shënuar një progres domethënës në ndërtimin dhe konsolidimin e institucioneve demokratike e funksionale të shtetit ligjor në shërbim të qytetarëve të saj, pavarësisht përkatësisë etnike”. “Më lejoni, i dashur zoti Kryeministër, të ndaj me Ju dhe tërë popullin e Kosovës kënaqësinë për fillimin e procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e saj dhe procesin përmbyllës të pavarësisë së mbikqyrur, duke mundësuar zhvillimin e vazhdueshëm të vendit si demokraci e pavarur, sovrane dhe multi-etnike. Komuniteti serb dhe komunitetet e tjera pakicë që morën pjesë masivisht në zgjedhjet e fundit parlamentare, tashmë janë pjesë e procesit qeverisës të Kosovës në nivel qendror e lokal, pasi kanë krijuar bindjen e qëndrueshme, se zgjidhja e problemeve të tyre të përditshme realizohet përmes angazhimit dhe përfaqësimit të tyre politik në institucionet legjitime të Kosovës”- tha Berisha. Ai vuri në dukje se qeveria shqiptare është plotësisht e vendosur dhe e angazhuar, që marrëdheniet e shkëlqyera dypalëshe që ekzistojnë mes dy vendeve tona të njohin zhvillime të reja pozitive, të pasurohen më tej në të gjitha fushat, në dobi të dy popujve vëllezër. “Duke ndarë vizionin tonë të përbashkët për integrimin evropian, jam i bindur se bashkëpunimi mes dy vendeve tona do të shndërrohet në shëmbullin më të shkëlqyer të bashkëpunimit ndërshtetëror në rajon, duke dhënë kontributin tonë, në shërbim të paqes e stabilitetit në rajon e më gjerë. Në këtë ditë feste, gjej rastin të përshëndes edhe një here Qeverinë dhe tërë popullin e Kosovës për solidaritetin e jashtëzakonshëm të treguar për t’u ardhur në ndihmë të gjithë banorëve të prekur nga ky dimër i jashtëzakonshëm që po kalojmë. Duke rikonfirmuar mbështetjen time maksimale dhe vullnetin për një bashkëpunim sa më të ngushtë me Ju, pranoni Zoti Kryeministër, sigurimet e konsideratës sime më të lartë”- deklaroi më tej kryeministri Sali Berisha.

Uganda i bën “dhuratë” Kosovës, njeh Pavarësinë

Në ditën e 4-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së saj, Kosova fiton edhe një njohje të re, njohjen nga shtetit i Ugandës. Lajmi u konfirmua nga zëdhënësi i zëvendëskryeministrit të Kosovës Behgjet Pacolli i cili në një konferencë për mediat dha lajmin dhe duke paraqitur edhe letrën verbale të këtij shteti. Sipas tij, nota verbale kishe ardhur në adresë të zyrës së zëvendëskryeministrit Pacolli, pasi që, siç tha ai, ai ka qenë edhe kanali i vetëm që ka realizuar lobim për njohje të Kosovës nga ky shtet. Kështu Uganda bëhet vendi i 88-të që njeh pavarësinë e Kosovës pas Haitit i cili njohu vëtëm pak kohë më parë shtetin më të ri të Europës.
Njohja nga ky shtet vjen në kohën, kur Kosova ka intensifikuar maksimalisht përpjekjet për të përmbyllur procesin e njohjeve te pavarësisë së saj.

Presidenti francez, Nikola Sarkozi: Franca, në ndihmë të aspiratave besnike të Kosovës

Presidenti i Francës, Nikolas Sarkozy, i ka dërguar një telegram urimi Presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga, me rastin e përvjetorit të pavarësisë së Kosovës.
“Kosova feston sot ditëlindjen e katërt të pavarësisë së saj. Dëshiroj që në këtë ditë të veçantë t’ju adresoj, në emrin tim dhe në emrin e popullit francez, urimet e mia. Viti 2011 është shënuar me nisjen e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, nën mbikëqyrjen e Unionit Evropian. Unë gëzohem për këto rezultate të para, të dobishme për popujt, dhe qasjen konstruktive të adoptuar nga autoritetet kosovare”, thuhet ndër të tjera në mesazhin e urimit të presidentit francez. Sarkozy thekson më tej se është mirë të ruhet kjo dinamikë pozitive dhe të mos lejohen zërat e tërheqjes në vetvete që po dalin nga të dy anët në një kontekst ekonomik dhe social të vështirë. “Unë llogaris në angazhimin tuaj dhe në guximin politik për të mbështetur me gjithë peshën tuaj vazhdimin e dialogut dhe gjetjen e kompromiseve të nevojshme për pajtimin rajonal dhe për afrimin evropian të të dy vendeve. Kjo është për të ardhmen evropiane të Kosovës dhe stabilitetit të tërë Ballkanit”, ka thënë në mesazhin për populin kosovar, presidenti Sarkozi.
Ai ka shtuar më tej se lajmi për mbylljen e ardhshme Zyrës Civile Ndërkombëtare dhe rikonfigurimi i mundshëm i misionit të EULEX-it theksojnë qëllimin e Kosovës që të bëhet një shtet “normal”, pa mbikëqyrje ndërkombëtare. "Këto janë hapa pozitivë që mbështesin aspiratën tuaj për ushtrimin e një sovraniteti të plotë dhe të cilën neve e mbështesim fuqishëm. Kosova mund të llogarisë në mbështetjen e Francës dhe Unionit Evropian për këtë detyrë”, shkruan më tej presidenti Sarkozi.
Ai ka vënë në pah se para Kosovës mbeten shumë sfida si vendosja e një situate financiare të shëndoshë, krijimi i bazave për një zhvillim ekonomik e të qëndrueshëm, konsolidimi i të arriturave të Planit Ahtisari, nisja e një strategjie të besueshme e integrimit paqësor për veriun e Kosovës, luftimi në mënyrë më të determinuar kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe udhëheqja e reformës zgjedhore. “Jam në dijeni për veprimin tuaj të vendosur për të dërguar Kosovën në komunitetin ndërkombëtar dhe për ta bërë një shtet modern. Unë e vlerësoj vullnetin tuaj për të vepruar për bashkimin e të gjithë qytetarëve të Kosovës, çfarëdo qoftë origjina e tyre etnike ose përkatësia fetare. Jeni e sigurt se Franca do të qëndrojë pranë jush për t’ju ndihmuar në realizimin e këtyre ambicieve fisnike”, thuhet ndër të tjera në mesazhin e presidentit Sarkozi.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›