E Diel, 1 Nëntor 2026

Haxhinasto tur në Singapor, Brunei dhe Tajlandë

Ministri i Jashtëm, Haxhinasto

Numri dy i qeverisë, njëherësh Ministri i Punëve të Jashtme Edmond Haxhinasto ka nisur turin e tij të vizitave në Singapor, Brunei dhe Tajlandë.

Sipas zyrës për shtyp të ministrit bëhet e ditur se kjo vizitë do ti shërbejë zgjerimit të marrëdhënieve të Republikës së Shqipërisë me këto shtete, vendosjes së kontakteve midis vendeve dhe popujve të këtij rajoni dhe inkurajimit të marrëdhënieve ekonomiko- tregtare.

Bisedimet që do të zhvillojë Ministri Haxhinasto me homologët e tij, si dhe takimet me zyrtarët e tjerë më të lartë të këtyre vendeve do të fokusohen në rritjen e dialogut të mëtejshëm politik, për ti vendosur marrëdhëniet e deritanishme të Republikës së Shqipërisë me këto shtete në një stad të ri,  si dhe plotësimin e kuadrit të nevojshëm institucional me to- thuhet në njoftim.

Në qendër të bisedimeve do të jetë bashkëpunimi ekonomik, ku do të shkëmbehen informacione dhe do të shqyrtohen mundësitë e adoptimit të praktikave më të mira nga përvojat përkatëse. Duke bërë të njohur performancën e ekonomisë shqiptare, klimën inkurajuese të investimeve për kompanitë e këtyre vendeve, Ministri Haxhinasto do të ndalet në mundësitë e investitorëve të tyre për të investuar sidomos në fushën e infrastrukturës, energjetikës, turizmit etj.

Gjatë vizitave në Singapor, Brunei dhe Tajlandë, një vend të rëndësishëm do të zënë edhe bisedimet për forcimin e bashkëpunimit në fushën e marrëdhënieve shumëpalëshe dhe në organizatat ndërkombëtare.

Lidhur me qëndrimin për çështjen e Kosovës, kur të tre vendet nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës, Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë do të ndalet në mundësitë e njohjes së saj nga këto vende, në zhvillimet më të fundit në marrëdhëniet Kosovë-Serbi, duke i njohur gjithashtu me kontributin konkret të shtetit të pavarur të Kosovës dhe institucionet e tij legjitime e funksionale në stabilizimin dhe bashkëjetesën në rajon- theksohet më tej.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›