Haxhinasto vijon vizitën në Shkup, takohet me krerët e shtetit

Zv.Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto vijon ditën e dytë të vizitës së tij në Maqedoni. Gjatë ditës së sotme, kreu i diplomacisë shqiptare do të takohet me homologun e tij Nikola Poposki ku pas një takimi tete a tete, dy ministrat do të zhvillojnë edhe një konferencë të përbashkët për shtyp.
Gjithashtu numri dy i qeverisë shqiptare do të takohet më pas edhe me presidentin e Maqedonisë Gjorgje Ivanov dhe kryeministrin Nikolla Gruesvki.
Në axhendën e ministrit Haxhinasto janë parashikuar edhe takime me Kryetarin e Parlamentit maqedonas Trajko Veljanoski si dhe me Zv/Kryeministren për Çështjet Eurointegruese, Teuta Arifi.
Ministri Haxhinasto do të zhvillojë takime edhe me drejtuesit e partive kryesore politike shqiptare në Maqedoni, me kryetarin e BDI-së Ali Ahmeti dhe me kryetarin e PDSH-së Menduh Thaçi.