Thirrje Rusisë dhe Kinës për mbështetje të rezolutës për Sirinë
Një koalicion prej 200 vëzhguesish të të drejtave të njeriut dhe grupeve të ndihmës i ka bërë thirrje Rusisë dhe Kinës të mbështesin rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e cila do t`i bënte presion regjimit sirian për t`i dhënë fund gjakderdhjes njëvjeçare. Deklarata e publikuar të enjten, në përvjetorin e parë të shpërthimit të protestave kundër regjimit të presidentit Bashar al-Asad, është nënshkruar nga grupet, përfshirë Human Rights Watch-in dhe Federatën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut. Rusia, mbështetëse dhe furnizuese me armë e Sirisë, së bashku me Kinën kanë bllokuar disa përpjekje të Perëndimit dhe Ligës Arabe për të miratuar rezolutën që dënon dhunën në Siri. Deklarata e grupeve të të drejtave po ashtu i bën thirrje regjimit sirian “të ndalojë shkeljen e ligjit ndërkombëtar, arrestimet arbitrare dhe torturat, si dhe të garantojë qasjen urgjente të punëtorëve të ndihmës, gazetarëve dhe monitoruesve të të drejtave civile”. Që nga shpërthimi i protestave antiqeveritare në Siri, një vit më parë, Kombet e Bashkuara thonë se rreth 8,000 persona, shumica nga ta civilë, kanë humbur jetën në trazira. Autoritetet siriane kanë fajësuar “grupet e armatosura terroriste” për dhunën.