Haxhinasto:Pragrami do na diferencojë në zgjedhje

Emond Haxhinasto, kryetar i Komisionit Kombëtar Drejtues në LSI, i ftuar në Ora News, deklaroi se programi i LSI-së për zgjedhjet do të jetë tërësisht social. "Pika më e rëndësishme e programit është punësimi, po ashtu "bonusi jetik", që është një paketë asistence dhe punësimi që do të bëjë mbushjen e atij hendeku që ekziston mes nivelit minimal të të ardhurave dhe kushteve minimale të jetesës", tha ai. Haxhinasto deklaroi se pjesë e programit do jenë edhe elementët që kanë të bëjnë me shëndetin, edukimin dhe sigurimet shoqërore të individëve. Pjesë e programit do jenë edhe politikat që do merren për moshën e tretë. Sa i përket zgjedhjeve, Haxhinasto mendon se pika më e fortë e LSI-së është programi dhe mënyra se si është konceptuar ai. "Programi nuk është një ripërsëritje e tematikave, por jemi fokusuar në problemet që pengojnë zhvillimin dhe cilësinë e jetës së qytetarëve". Çështje të tjera që do trajtojë LSI-ja janë pronat dhe energjia, për të cilat do jepen zgjidhje të formuluara nga ekpertët përkatës. Lidhur me rrëzimin e buxhetit të bashkisë për 2009-ën, Haxhinasto deklaroi se nuk ishte LSI-ja që rrëzoi buxheti. "Mënyra që ka zgjedhur Rama me Këshillin Bashkiak për të mos komunikuar me të nuk ndihmon aspak, për më tepër buxheti nuk realizon aspak problematikën e kërkuar nga këshilltarët", tha ai. Haxhiansto nënvizoi se Rama duhet të bëjë transparent se për çfarë do përdoren fondet e bashkisë. Duke iu referuar ditës së inagurimit të presidentit të SHBA-së,Barack Obama, ai e konsideroi si një ceremoni madhështore. Lidhur me fjalimin e Obamës për të ndihmuar botën muslimane, Haxhinasto shtoi se e reja që do sjellë administrata e Obamës do jetë mënyra se si SHBA-ja do trajtojë vendime të rëndësishme për të.