E Diel, 1 Nëntor 2026

Haxhiu kërkon pafajësinë: “Nuk kam gabuar me publikimin e emrit”



Gjykata Penale Ndërkombëtare e Hagës filloi dje procesin gjyqësor ndaj gazetarit kosovar Baton Haxhiu. Në fillim të procesit Haxhiu shprehu hapur shqetësimin e tij lidhur me keqkuptimet për “mospërfillje të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës” dhe kërkoi nga trupi gjykues të shpallet i pafajshëm. Gazetari kosovar tha se nuk kishte gabuar kur publikoi identitetin e një dëshmitari të mbrojtur, pasi emri i tij është bërë i ditur më herët. “Jo pak njerëz e dinin emrin e tij. Kosova është vend i vogël dhe sekretet nuk zgjasin shumë, sidomos kur bëhet fjalë për liderët e përpjekjeve të armatosura kundër serbëve gjatë luftës në Kosovë”,- tha Haxhiu duke shtuar se asnjëherë nuk ka dëshiruar të ndërhyjë në çështjet e gjyqësisë. Prokuroria ka akuzuar Haxhiun për shpërfillje të Gjykatës së Hagës, konkretisht për zbulimin e identitetit të dëshmitarit të mbrojtur të Prokurorisë me shifrën 17, që ka dëshmuar në procesin gjyqësor ndaj Ramush Haradinajt, Idriz Balajt dhe Lahi Brahimjat, përmes një artikulli të botuar në gazetën “Express”. Në seancën e djeshme, prokurori kërkoi plotësimin e aktakuzës ndaj Haxhiut, kurse trupi gjykues pranoi kërkesën e Baton Haxhiut që ai të paraqesë një deklaratë lidhur me akuzën ndaj tij. Ndërsa prokuroria insistoi që Haxhiu të shpallej fajtor për mospërfillje të drejtësisë ndërkombëtare, mbrojtja e Baton Haxhiut konsideroi se prokuroria nuk ka arritur ta provojë aktakuzën.

25 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›