E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haziri: LDK pret rezultate pozitive

Kryetari i Shtabit Zgjedhor të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri vlerësoi se procesi i sotëm zgjedhor në komunën e Prizrenit dhe Lipjanit kësaj radhe ka qenë më i organizuar, megjithë disa shkelje procedurale, ndërsa edhe pse nuk ka dhënë ndonjë rezultat ka thënë se LDK pret rezultate pozitive.

Pas mbylljes së qendrave të votimit, drejtuesit e LDK-së kanë dal me konferencës e radhës për media, duke shpalosur qëndrimet e tyre mbi procesin e rivotimit në Prizren dhe Lipjan.

Haziri tha se LDK është duke punuar në marrjen e mostrave të para nga qendrat e votimeve, ndërsa apeloi që procesi i numërimit të jetë i garantuar në mënyrë që vullneti i lirë i qytetarëve të shkojë deri në fund.

“Sipas shenjave të para LDK-ja pret rezultat pozitiv. Unë do të kursehem që në këtë konferencë të jap shifrat e para, sepse ne po punojmë në marrjen në rezultatet dhe ato do t’i kumtojmë kohë pas kohe deri në ora 23.00”, ka thënë ai.

Sipas tij, gjatë votimit të sotëm është arritur të evitohen dobësi të mëdha dhe problemet që janë evidentuar në raundin e dytë dhe se ky organizim ka qenë dukshëm më i mirë dhe më i kontrollueshëm.

Megjithëse, shefi i shtabit të LDK-së thotë se kësaj here kanë vërejtur shkelje procedurale, votim familjar, mungesë të llambave dhe aspekteve tjera teknike.

“Janë vërejtur disa shkelje procedurale, por edhe tensione nga grupe militantësh që në disa vendvotime kanë pretenduar në mëngjes dhe në mbrëmje të bëjmë presion mbi komisionar dhe vëzhgues e votues. Mirëpo, falë angazhimit tonë dhe të vëzhguesve dhe organeve të rendit është arritur që në disa raste të ndërhyjë edhe policia drejtpërdrejt dhe të evitohet problemet e paraqitura”, ka thënë Haziri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›