E Diel, 1 Nëntor 2026

Integrim me dialog

Misioni i Bashkimit Europian për rend dhe ligj në Kosovë, EULEX, ka përjashtuar çdo mundësi të përdorimit të forcës në përpjekjet për integrimin e pjesës veriore dhe zhbërjen e strukturave paralele.

“EULEX beson fuqishëm se përparimi në Veriun e Kosovë mund të arrihet vetëm nëpërmjet dialogut, ku do të jenë të përfshira të gjitha palët e interesuara dhe atë hap pas hapi”, ka thënë zëdhënësi i këtij misioni, Nicholas Hawton.

Kështu EULEX’i demantoi agjencinë italiane të lajmeve “ANSA”, që kishte parafrazuar deklaratën e Zëdhënëses së EULEX’it, Karim Limdal, “duke raportuar se një pjesë e këtij misioni së shpejti do të fillojë të vendoset në veri të Kosovë” dhe se disa zyrtarë europianë që kishin vizituar Veriun e Kosovës, kanë pasur për detyrë zbatimin e Planit të Shefit të ICO’së në Kosovë, Pieter Feith.

Siç raportojnë mediat serbe, EULEX’i ka bërë të ditur se, “gjoja deklaratat e Zëdhënëses Limdal janë tërësisht të pasakta”.

Po ashtu, EULEX’i ka përsëritur se Strategjia për Veriun e Kosovës nuk është strategji e Bashkimit Europian dhe as dokument i EULEX’it.

Zyrtarë për informim të EULEX’it kanë thënë të shtunën se ky dokument është hartuar nga Zyra Civile Ndërkombëtare (ICO), e cila edhe përgjigjet për këtë strategji.

EULEX’i nuk llogaritet si akter në zbatimin e Strategjisë për Veriun, për shkak se Bashkimi Europian nuk ka marrë pjesë në hartimin e këtij dokumenti, për shkak se jo të gjithë anëtarët e saj e njohin pavarësinë e Kosovës.

Sido që të jetë, ICO’ja dhe Qeveria e Kosovës duken të vendosur për zbatimin e këtij dokumenti, i cili synon integrimin e pjesës veriore dhe zhbërjen e strukturave paralele serbe që kontrollojnë atë pjesë të shtetit të ri.

Ky plan përkrahet edhe nga subjektet opozitare në Kosovës.

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, theksoi nevojën për shtimin e pranisë ndërkombëtare në Veri, derisa thotë se mungesa e përfaqësuesve të EULEX’it dhe të mekanizmave të tjerë të sigurisë në pjesën veriore, do të mund të ndikonte në fuqizimin e strukturave paralele serbe.

“Në rast të moszbatimit të Strategjisë, atëherë do të ketë destabilizim. Në rast të zbatimit të Strategjisë përmes një plani veprues në të gjitha segmentet, unë besoj se Veriu do të hyjë nën kontrollin e institucioneve të vendit dhe do të bëhet integrimi i pjesës veriore të Kosovës”, ka thënë Isufi në një prononcim për Radion Europa e Lirë.

Zgjidhja e problemit të Veriut në qarqet ndërkombëtare vlerësohet të jetë e domosdoshme edhe për rrugën integruese të Serbisë dhe të Kosovës në Bashkimin Europian. Edhe përfaqësues të shtetit serb theksojnë se Serbia dhe Kosova do të kenë rrugë të ndara për integrim në Bashkimin Europian deri në, siç thuhet, krijimin e një ambienti të ri politik e ekonomik për një marrëveshje mbi këtë çështje. Vlerësimet e tilla, sipas përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës, janë një sinjal për parapërgatitjen e opinionit serb mbi realitetin në Kosovë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›