Mbi 300 nxënës protestojnë në autostradën Fier-Lushnje
Rreth 300 nxënës të shkollës 9-vjeçare të fshatit Vajkan në Fier kanë bojkotuar dje mësimin dhe kanë ndërmarrë një protestë masive. Nxënësit, rreth orës 10.00 kanë bllokuar autostradën Fier-Lushnje. Arsyeja e kësaj protestë ishte mungesa e nënkalimeve dhe mbikalimeve në këtë autostradë, çka shpeshherë ka sjell probleme për fëmijët e shkollave. Duke pasur parasysh që disa herë nxënësit, prindërit dhe mësuesit kanë kërkuar që ky segment të plotësohet edhe
me këto nën dhe mbikalime dhe gjithçka ka rënë në vesh të shurdhët, sot ata kanë bllokuar të gjithë qarkullimin. Gjithçka ishte paralajmëruar edhe disa herë të tjera. Këtu nuk kalon dot. Sa herë kemi rrezikuar jetën në këtë rrugë. Nuk ka shumë kohë kur makina përplasi një grua, nënë e pesë fëmijëve, e cila mbeti e vdekur në vend. Përditë shoqërojmë fëmijët në mëngjes dhe në drekë. Jemi me hall nuk kemi mundësi ti ndjekim fëmijët përditë. Kemi kërkuar që të sistemohet ky problem qysh në fillim të punimeve që para dy vjetësh, por askush nuk na e ka vënë veshin, ka deklaruar Fëmijë Lulo, një prind i një fëmije. Ndërkohë vetë nxënësit janë shprehur se në shumë raste u është dashur të vrapojnë, pasi automjetet ecin me shpejtësi duke mos kontrolluar aspak rrugën. Jemi në rrezik. Në këtë shkollë janë dy fshatra që lidhen vetëm nga kjo rrugë dhe jemi të detyruar të kalojmë këtu. Nuk do të lëvizim pa u zgjidhur ky problem. Kam shpëtuar disa herë, unë së bashku me motrën time, kështu ka thënë Elio Nela, një nxënës i klasës së shtatë. Por, ajo çka binte në sy është fakti që megjithëse protesta bllokoi qarkullimin e automjeteve për rreth 1 orë, drejtuesit e mjeteve u shprehën pro kësaj iniciative. Ndërkohë, duke parë grupimin e nxënësve të mbështetur edhe nga prindërit dhe mësues, ka qenë kreu i komunës Mbrostar, nga i cili varet ky fshat, ai që ka marrë takim me protestuesit, ndërsa ka premtuar se do të negociojë me përfaqësuesit e firmës punuese Maltauro me qëllim që këta të fundit të përgjigjen për këtë kërkesë të banorëve të zonës. O. Filka