E Diel, 1 Nëntor 2026

Hekurudha në alarm, zgjerimi i rrugës Plepa-Rrogozhinë rrezikon trasenë

>Drejtoria e Hekurudhave kërkon pezullimin e punimeve
Sapo ka nisur puna për zgjerimin e rrugës nga Plepat në Rrogozhinë ndërmarrja e hekurudhës ka qenë e para që ka vënë alarmin për të për shkak se rrezikohet seriozisht traseja hekurudhore. Traseja që fillon nga Plepat deri tek Përroi i Agait, është vënë në rrezik për shkak të punimeve që po kryhen për zgjerimin e kësaj rruge. Drejtoria e hekurudhës dhe inspektorati hekurudhor kanë kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të punës. Shkak janë bërë gërmimet që firmat ndërtuese kanë bërë që në ditët e para të punës deri në afërsi të bazamentit të trasesë. Konstatimet e dëmit të shkaktuar janë bërë nga vetë drejtuesit e hekurudhës dhe inspektoratit, të cilët kanë qenë dje në vendngjarje. Drejtori i Përgjithshëm i Hekurudhave, Zamir Ramadani ka deklaruar se firmat zbatuese të punimeve kanë gërmuar deri në afërsi të trasesë dhe nuk e kanë shoqëruar këtë proces me ndërtimin e murit mbajtës. Për këtë arsye pothuajse i gjithë perigoni hekurudhor në këtë pjesë, nga Plepat deri tek Përroi i Agait, është dëmtuar rëndë. Shqetësimi serioz që është dhënë nga drejtoria e hekurudhave ka bërë që dje në këtë aks rrugor të mbërrijë drejtori i përgjithshëm i rrugëve, Andi Toma, i cili ka diskutuar rreth zgjidhjes së këtij problemi së bashku më përfaqësues të firmave.
Inxhinierët
Në lidhje me problemin në fjalë, inxhinierët e firmave kanë deklaruar se projekti që ata kanë pasur, nuk parashikonte ndërtimin e mureve mbajtës, por mureve pritës që janë krejt ndryshe nga ajo që ka ndodhur në terren. Puna për zgjerimin e rrugës është ndërprerë përkohësisht, por pas rënies dakord për ndërtimin e menjëhershëm të murit ngjitur me skarpatën e trasesë hekurudhore, mjetet kanë rifilluar punën. Drejtori i inspektoratit hekurudhor, Allamani ka bërë të ditur se muret mbajtëse duhet të ndërtohen sa më parë për të mos shembur trasenë e hekurudhës, kurse muret pritës të planifikuar në projekt nuk e mbajnë dot peshën e lëvizjes së trenave. Në lidhje me këtë pjesë të projektit, bëhet e ditur se nuk është marrë fare mendimi i hekurudhës për zgjerimin e rrugës në drejtim të trasesë hekurudhore. Projekti për rrugën është hartuar shumë shpejt dhe po kështu kanë filluar edhe punimet, të cilat sipas kontratës, duhet të përfundojnë në 30 qershor të këtij viti. Aktualisht po punohet në tre lote, nga Plepa deri ën Malin e Robit për ndërtimin e baipasit me gjatësi 6.5 km dhe vlerë 460 milion lekë të reja. Mesa duket mungesa e një studimi për këtë rrugë dhe shpejtësia e madhe me të cilën ajo ka filluar të ndërtohet, natyrisht për qëllime elektorale të Berishës, mund të vërë në rrezik nesër udhëtarët që do të udhëtojnë me tren në këtë linjë pasi kjo që po ndodh nuk garanton siguri në këtë segment hekurudhor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›