Hekurudhat shqiptare, gati për linjën me Maqedoninë
DURRES – Rreth 53 milionë euro është donacioni që Brukseli i jep hekurudhës shqiptare për përmirësimin e infrastrukturës, sinjalistikës, shpejtësisë dhe sigurisë. Drejtori i përgjithshëm Zamir Ramadani bën me dije se falë këtij investimi shpejtësia e trenave shqiptarë do të rritet nga 60 në 100 kilometra. Ky fakt do ta bënte më të preferueshme hekurudhën si përsa i përket transportit të pasagjerëve, ashtu edhe për atë të mallrave. “Aktualisht në nivel 5-mujori jemi në shifrën e 260 mijë pasagjerëve, ndërsa për mallrat në kuotën e 150 mijë tonëve të transportuar me hekurudhë”, shprehet Ramadani. Aktualisht hekurudha shqiptare është e futur në sistemin ndërkombëtar hekurudhor vetëm përmes linjës së veriut Shkodër-Koplik-Han i Hotit-Podgoricë. Nga ky segment hyjnë dhe dalin në vend karburante, ushqime, hekur, çimento, tulla, etj. Ndërsa aksi lindor me Maqedoninë mbetet ende në fazën e projekteve. Durrësi mund të lidhet në rrugë hekurudhore me Detin e Zi, vetëm nëse inaugurohet linja Lin-Kërçovë me gjatësi totale prej 45 kilometrash. Palës shqiptare i takon të ndërtojë vetëm 2.8 kilometra hekurudhë, ndërsa asaj maqedonase shumë herë më tepër. Ndërtimi i segmentit nga fshati Lin i Pogradecit, deri në qytezën maqedonase Kërçovë do të mundësonte transport mallrash me lindjen deri në qytetet Varna dhe Burgas të Bullgarisë. Ramadani jep detajet e transportit ndërkombëtar të mallrave me hekurudhë, duke thënë se pala shqiptare me 5 milionë euro i shtron shinat deri në kufirin maqedonas. Por pala maqedonase e ka të vështirë jo vetëm gjatësinë prej më shumë se 40 kilometrash deri në kufirin shqiptar, por edhe koston e lartë dhe terreni i thyer malor që kërkon ngritjen e shumë veprave të artit. Megjithatë Zamir Ramadani tregohet optimist duke u shprehur se brenda 3 viteve të ardhshme Maqedonia dhe Shqipëria do të lidhen me hekurudhë. o.u