Durrës-Tiranë, tre të vdekur
DURRES – Rruga nacionale Durrës-Tiranë ka shënuar aksidentin më tragjik që nga fillimi i vitit 2009. Tre persona humbën jetën pas përplasjes së makinës së tyre, në afërsi të Maminasit mbrëmjen e së shtunës. Bujar Lala 50 vjeç, djali i tij Eltjon 26 vjeç dhe shtetasi Edison Ymeri, 27 vjeç kanë gjetur vdekjen pas përplasjes së makinës së tipit “BMW” me targë Ç586YC me një shtyllë metalike. Autovetura e tragjedisë në pronësi të shtetasit Eltjon Lala po udhëtonte në drejtimin Tiranë-Durrës, kur pranë një pike karburanti shoferi ka humbur kontrollin nga shpejtësia e madhe. Dinamika e përplasjes mbetet ende për t’u zbardhur, pasi makina teksa ka dalë nga rruga ka goditur fillimisht një tub betoni në atë të kanalit vaditës dhe më pas është përplasur furishëm mbi një shtyllë metalike. Përplasjet zinxhir kanë shkaktuar dëmtime të rënda në trup dhe në kokë tek shoferi që mendohet të ketë qenë Eltjon Lala dhe tek dy pasagjerët. Nga nënseksioni i qarkullimit rrugor të Durrësit mësohet se shtetasi Bujar Lala ka mbetur i vdekur në vend, ndërsa dy pasagjerët e tjerë janë dërguar akoma të gjallë në spital. Por pavarësisht përpjekjeve të mëdha të bluzave të bardha edhe dy shtetasit e tjerë më të rinj Edison Ymeri dhe Eltjon Lala nuk mundën t’u mbijetonin plagëve të rënda. Mësohet se dy viktimat nga familja Lala ishin me origjinë nga Dibra, por prej vitesh banonin në plazhin e Durrësit. o.u