Helena Kadare në panairin e Lajpcigut
TIRANE-Një grup botuesish, shkrimtarësh e studiuesish shqiptarë do të marrë pjesë në panairin e Lajpcigut, që mbahet nga data 14 deri në datën 17 mars në Gjermani. Është mësuar se sa i takon shkrimtarëve, këtë vit e ftuar e panairit është Helena Kadare, shkrimtare dhe bashkëshorte e autorit të njohur Ismail Kadare. Ajo u shpall “Shkrimtarja e vitit” në Panairin e librit shqip në nëntor të vitit të kaluar, kur edhe botoi kujtimet e saj përkrah Ismail Kadaresë, nën titullin “Kohë e pamjaftueshme”. Përveç saj, të pranishëm do të jenë edhe Romeo Collaku, Lindita Arapi, Agron Tufa, Viola Isufaj dhe Persida Asllani. Sa u takon botuesve, deri tani janë mësuar emrat e katër shtëpive: Dituria, Argeta LMG, Onufri dhe Ombra GVG. Secili prej tyre do të ekspozojë atje botimet e veta më përfaqësuese, ndërsa mësohet se hapësira dedikuar botimeve shqip këtë vit është më e madhe, përkatësisht 24 metra katrorë. Nga shtëpia botuese “Onufri” mësojmë se ndër librat që do të dërgohen atje, do të jenë edhe tre të shkrimtarit shkodran Martin Camaj. Me grupin e ‘njerëzve të librit’ do të jetë edhe një kuartet, që do të luajë muzikë. Shkrimtarët shqiptarë do të mund të lexojnë pjesë nga librat e tyre dhe do të mund të takojnë lexuesit. Ermir Nika nga Ministria e Kulturës na sqaron se në këtë panair do të flitet për letërsinë bashkëkohore shqipe, duke përfshirë edhe letërsinë e atyre shkrimtarëve që nuk do të jenë të pranishëm. “Do të flitet për letërsinë shqipe sot, prirjet, rrymat, emrat e shkrimtarët, si edhe risitë e tyre. Do të ketë një lloj kritike që flet për të, sepse të themi të drejtën letërsia jonë është pak e njohur atje”, - tha Nika.
Sipas tij, delegacioni pjesëmarrës që këtë vit është i konsiderueshëm, do të punojë për njohjen e letërsisë sonë atje. “Duhet thënë se ne po përpiqemi të krijojmë këndin tonë atje”,- tha Nika, ndërsa shtoi se panairi është më i madhi në botë për shkrimtarët. Këtë vit, Shqipëria merr pjesë për herë të dytë në këtë eveniment të një rëndësie të veçantë për letërsinë.
Panairi i librit në Lajpcig ka një afinitet të madh ndaj Ballkanit, por botuesit shqiptarë deri vonë i “kanë qëndruar” larg. “E vetmja stendë, me libra në gjuhën shqipe ishte ajo e Republikës së Maqedonisë, Shqipëria e Kosova mungonin”, - shkruante “Deutsche Welle”. Panairi i Lajpcigut është i dyti për nga rëndësia në Gjermani, pas atij të Frankfurtit që zhvillohet në vjeshtë dhe është më i madhi në botë. Por ky nuk është dallimi i vetëm. Ndërsa Frankfurti konsiderohet si panairi i botuesve, aty nënshkruhen kontratat dhe lidhen marrëveshjet, ai i Lajpcigut është panairi i publikut dhe i shkrimtarit. Përveç kësaj, Evropa Lindore dhe Juglindore është vazhdimisht në fokus të tij. Shkrimtarët shqiptarë nuk i kanë munguar këtij evenimenti as vitet e tjera. Ndër ta mund të përmendim Ali Podrimen apo Ben Blushin.
(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)