E Shtunë, 31 Tetor 2026

Helidon Haliti çon legjendat shqiptare në Francë

TIRANE-Përrallat, baladat dhe legjendat shqiptare të përfshira në ekspozitën e titulluar "Fabulous", janë që prej ditës së djeshme të ekspozuara në një nga galeritë e Parisit. Autori i tyre është Helidon Haliti, i mirënjohur për një koleksion interesant në Muzeun "Mezuraj" dhe më shumë se kaq. Kohët e fundit, një nga punët e tij është në koleksionin e çiftit presidencial francez. Media ka raportuar se pak kohë më parë vepra e tij e titulluar "Gjeli", është bërë pjesë e koleksionit presidencial të presidentit francez, Nikolas Sarkozi. Ekspozita e tij vetjake mëton t'i japë publikut francez ngjyrat dhe elementet krejtësisht të veçanta të pikturës së tij, duke zbërthyer temën e përrallave, legjendave dhe baladave shqiptare. Kjo ekspozitë ka qenë në Kosovë dhe sipas tij, shpejt mund të udhëtojë në Tiranë, Shkup, edhe pse jo, drejt Athinës apo Beogradit..."Tani po bëhet më e butë, pasi ia kam arritur qëllimit, i kam tërhequr vëmendjen dhe tashmë po merrem më shumë me anën estetike", - është shprehur ai për këtë fazë të krijimtarisë së tij. Helidon Haliti i përket asaj gjenerate të re të studentëve të Shqipërisë bashkëkohore, i cili u diplomua në Akademinë e Arteve të Bukura për pikturë në vitin 1993. I emigruar ne Greqi për gati 12 vjet, piktori është rikthyer drejt vendit të tij për të derdhur në telajo atë që i bën përshtypje, shumë afër studios së tij. Helidon Haliti ka ekspozuar për herë të parë në Tiranë në vitin 1984, në një ekspozitë kombëtare, si dhe në ekspozitën e të rinjve në Oslo, në Norvegji në vitin 1985, ku është vlerësuar me dy çmime për akuarelet e paraqitura prej tij. Haliti ka qenë vazhdimisht i pranishëm në ekspozita të ndryshme në Shqipëri, por edhe në vende të tjera. Ai realizon vepra në gjini dhe teknika të ndryshme. Pikturat e tij janë pjesë e koleksioneve private në vende të ndryshme të botës.
Artisti
Në një intervistë të para disa kohëve, piktori ka thënë se arti i tij ka qenë shumë i rëndë ca kohë, sepse arti patjetër do të thotë diçka dhe duke qenë komunikues, ka nevojë edhe të klithë, edhe të thërrasë, që t'u tërheqë vëmendjen njerëzve. "Tani po bëhet më e butë, pasi ia kam arritur qëllimit, i kam tërhequr vëmendjen dhe tashmë po merrem më shumë me anën estetike", - është shprehur ai. Helidon Haliti, para publikut francez do të shfaqet me elementet dalluese të pikturës së tij, me kafshët si dhe simbolin e varkës dhe anijes që simbolizon shqiptarët, të cilët fatin e kërkojnë gjetkë. "Piktori Helidon Haliti di të marrë dramë nga ngjyrat dhe t'u japë atyre një ndodhi të shtangur, natyrisht shpirtërore, ndërsa shpirtit, trazimeve të tij, u jep ngjyrën e duhur, ato të çuditshmet, të mendimit. Haliti e tejkalon natyrën, duke e ribërë atë sipas një harmonie të vetën, ku zotërohet edhe çrregulli, ndërkaq ngjyrat, pasi të godasin, lëshojnë zhurmëtirë, zë largësie, borërimi, hijesh, resh, shteg drite, frushullimë rrote, qerthull vetmie, hapa, potkonj balade, që avitet dhe e beson. Helidon Haliti ka qenë piktor që pa lindur, poet i ngjyrave të tij", - shkruan shkrimtari Visar Zhiti në tekstin që e shoqëron këtë ekspozitë.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›