E Diel, 1 Nëntor 2026

Helidonizmi në ngjyra dhe hapësirë

Autori i Lajmit: Ilir Levonja

Ndërsa luaja në Google Search një preferencën time me iniciale emrash dhe mbiemrash, përshembull zk, bh, sht,hh... etj., zbulova se efekti i ngjyrave dhe hapësirës ndiqte me një lloj rigoroziteti tingujt që formoheshin nga afrimi i bashkëtingëlloreve me zanoret. Çudia fiktive vinte nga kruspullimi i hapësirës dhe ngjyrave deri në një syth, ku gjurma e pikës në ujë hopte me një tingull germash dhe planesh që nuk kishin asnjë lidhje me gjeometrinë. Për dreq mendja ime rrinte tek disa vjersha me paraqitje diagramesh, apo derivate rrethore, të Octavio Pazit, që unë sapo i pata zbuluar dhe sigurisht pata mbetur i befasuar. Gjithsesi, reflektimi i ngjyrave me grupet e tingujve gërmore..., më sollën të papriturën tjetër, më futën në galerinë e piktorit Helidon Haliti. Nuk po i gjeja dot fillin gjërave, kur në çast ra telefoni..., Huan Pablo Briatore, dishepull i Pazit dhe imi, më tha se, ja përse duhet poetika shifroshkronjore që maestro prodhoi përmes algjebrës. Pos pas kësaj mblodha mendjen të radhisja një linjë argumentesh që po më kthenin në kohë, pasi dy javë më parë, po ky Huan më tha se kur kishte shkuar në Lushnjë. Në një nga fletoret që ndodheshin në dhomën time, kishte gjetur një shënim për piktorët. Midis të tjerave unë paskësha shkruar se ata, piktorët, na qenkan të vetmit që, dinë se si lexohet një poezi.
Argumentet e përftuar janë kohezionale. Unë u kujtova për një nga ato qindra projekte të harruara që mbesin të tilla, për mijëra arsye, pasi kristalizimi i ideve kalon përmes miliona argalisjeve, të cilat u ngjasojnë krakëllitjeve të një makinerie gurëthyese. Gjithsesi, nga tërësia e të gjitha këtyre, mbaj mend se si mu bë obsesion fakti i mësipërm, pra ai që piktorët seç posedonin një lloj mjeshtërie në interpretimin e poezisë, si të themi, kishin një teknikë të tyren, për ta interpretuar versin, vargun, në aspektin e perceptimit, apo në paraqitjen njëhershme të kompleksitetit lirik strofal, pra: fabul, rimë, muzikalitet apo kadencë; peizazh dhe sfond natyror..., gjë që u mungonte vetë poetëve, por edhe aktorëve. Kështu që, duke shijuar pikturat e Helidonit mendova ti rikthehem sërish kësaj çështje duke shpjeguar për së pari ekzistencën dualiste, paralelëse, të njëkohshme, që shërben si balance flatrore..., atë, mes poezisë dhe pikturës. Kjo balancë është vizioni i hapësirës ku mbruhen ngjyrat në aspektin që krijon volumi tërësor i veprës artistike, një lloj hapësire e cila qëndron e baraspeshme edhe kur sillet qark, edhe kur tejshkohet nga objektet dhe nimatoset me purpurin tingullor të ngjyrave. Atëherë, ne shohim aty, një beftë lirik, shelgun lotues, përbri një lumi fushe, apo hapin e një kalimtari në një rrugë rrethine. Po dëgjojmë edhe një tingull kadencial pa të cilin nuk mund të jetojë një vers, varg enumerativ detajesh piktoreske, ashtu edhe perceptimi i përfytyruar nga togjet e fjalëve i cili sjell një tjetër pikturë. Këtu hapësira është edhe në planin vertikal, pra jo vetëm si shtrirje horizontale. Menjëherë pas kësaj, përfytyrimi ynë kaplohet nga tërësia e efekteve, që domethënë impresion, habi, shtangie, balardi, seriozitet, kumtësi etj., duke pasur parasysh efektin lucid të ngjyrave dhe sidomos pranëvënien e tyre në aspektin e gjetjes harmonike, e cila sjell një mbresë gati metamorfozike. Pra, bëhet fjalë për hapësirën reale, hapësirën e fjalës dhe hapësirën e pikturës. Kur jetoja në Lushnjë, pata bindjen se hapësira e Myzeqesë ishte më e madhja në botë, pavarësisht se në lindje ishin malet e Darsisë dhe në perëndim kodrat e Karatoprakut...; për mua ajo ishte fusha më e madhe në botë. Tani në Florida, ajo përshtypje më duket fëminore sepse këtu hapësira është e madhe se horizonti dhe nuk ka qoftë një kodër të vetme diku, por vetëm hark ylberor dhe fusha të ujta që i përkulen gjithësisë. Kurse hapësira e fjalës, merr edhe tingujt e pikturës, valëzon dhe perceptohet: ajo është sa efektshme aq dhe reale. Në tablotë e Halitit unë gjej atë që gjej edhe te një pasazh në hyrje të librit Haxhi Murati të Tolstoit, ku teksti përshkrues për nga dëndësia enumerative krijon një magji natyrore dhe artistike sa mezi e rrok imagjinata. Po kthehesha në shtëpi përmes fushave. Ishte vlugu i verës; bari ishte mbledhur dhe pritej të fillonte korrja e thekrës.
Kjo stinë ka lule nga më të bukurat”
Enumeracioni natyror përmbledh brenda një fjalie të përbërë, një tërësi asteriske, ku imagjinata nuk e ka të vështirë të perceptojë hapësirën piktoreske dhe poetikën e gjithësisë: “tërfil me petëla të kuqe, të bardha, të trëndafilta, erëmirë dhe pushatak;luleshqerra ngacmuese,«më do smë do», bojë qumështi me kupëz të verdhë dyllë e kutërbim ëmbëlosh veleritës; kolëza të verdha me erë mjalti...”, etj. Impresioni galaktik i ngjyrave që krijonin apo mbronin krijesa dhe detaje objektesh, me një fantazi e fanatizëm të llojit antik, ku fresku vigjëlon tingullin e koloriteve, merr trajtën e një simfonie e cila shplodh hapësirën deri atje ku syri e kupton parabolën natyrore. Dualiteti pikturë e poezi, tashmë, merr përmasa farfuritëse, lëngëzohet, ravijëzohet, ngrihet vertikal, por ka brenda një tërësi horizontale, të asimilueshme dhe ëndërritëse aq sa ti, pyet veten se, është ajo një tabllo pikture apo një poezi?! Galeria e veprave Helidonit reflekton një magjepsje, po të kësaj natyre, të vazhdueshme aq sa të duket sikur të kthyerat e holleve zgjaten në një shtrirje gërmash, si L, Z, T, V, O, I, etj. Në të njëjtën kohë, ti përfytyron rrethinën, metropolin, hapësirën, tymin e një oxhaku, një shtyllë qosheje, një bistro dhe një stacion urbani. Në poetikë ne i themi enumeracion figurash, dyer që duhen shtyrë, befte që duhen prekur, ofte që duhen psherëtirë. Miliona ide dhe përqasje krijohen si shkreptima të njëpasnjëjta, aq sa në një nga qoshet e studios galeri, apo ekspozitës, diku aty në bisht të Z-ës apo në trikryqin e T-ës, ti bëlbëzon pakëz Miro, Pikasso apo Renuar... Por ndodh që në një meditim lirik, surreal deri në real, brenda një grime kohe ti të përjetosh tërësinë e rrymave dhe paralelizmin e ngjyrës dhe fjalës poetike. Aq sa, vetiu duke parë një unazë të trajtëzuar në një burim drite, bëhesh pak Pëtef dhe Van Gog, shushurin.... a e ka parë Danubin shpirt? Ujdhëzën sipër ujërave ngritur?! Për të parë më kthjellët këtë ekzistencë, mjafton të shijojnë këtë prurjet duale, poetikën tabloite dhe poezinë që universalizon një pikturë. Përsëpari, mundësinë e kësaj ekzistence, unë e kam zbuluar nga miqësia me piktorët dhe skulptorët. Gjëja që më bënte përshtypje ishte fakti të cilin e përmenda në krye të kësaj eseje, se ata kishin një lloj vëmendshmërie ndaj vargut, në dy radhë ata gjenin një pikturë, kurse në një strofë, një kompozim siç e gjen Helidoni në një ep të Veriut. Ndaj shpesh unë këmbëngul duke thënë se vetëm ata dinë se si lexohet një poezi, madje dhe ta interpretojnë atë me një lloj efikasiteti që nuk e gjen tek aktori. Është prirja, dhuntia, talenti ai që mundëson këtë avantazh i cili e çon edhe Helidonin tek përzierja e ngjyrave, meditimi, derisa në kanavacë lind një tjetër vepër dramatike nga një varg i epit si ky: “Mjaft po shndrit njaj diell e pak po nxen”. Një prurje e parë është tërësisht një kontradiktë që në pikturë i thonë, kontrast si në këta vargje bibtikë të Pol Eluarit. Toka është blu, si një portokall. Piktura qëndron tek krahasimi me kontrast të fortë njollash kolristike, tokë blu si një portokall, kur ne, e kemi të rrënjosur të oranxhën e agrumeve. Rrethi si koncept, ose qerhuthi, krijohet tek skajet e ngjyrave. Ne e dimë që portokalli ka ngjyrën e vetë oranxhë, portokalli, Po toka përse blu?!, dhe përse krahasohet me një portokall?! Megjithatë, fal këtij kontrasti efekti i ngjyrave na krijon një përfytyrim sa magjik aq dhe të pafund. Një tokë me ujëra e qiej blu, brenda një portokalli dhe anasjelltas..., një portokall brenda një toke. Pas poezisë radhën e ka piktura. Ajo na rikthen poezinë, një vështrim më shumë dhe cikli efektohet duke përtypur ojna, nuanca ngjyrash, rima perceptimesh, shtegun hapësinor. Madje ky shteg është i endëzueshëm, helikoidal dhe me konture të buta. Një efekt përçues vjen paralel edhe tërësia e vështrimit nga e djeshmja në kohësi dhe ardhmëri, domethënë pamja qe kemi nuk është vetëm e tashmja por trikohësia e mësipërme, krijonjëse që përbën dhe idiomën artistike. Mendimi im është se perceptimi i fituar në fëmijëri dhe argalsija interpretuese në tanishmëri, duke trilluar apo përzier meditimin, ku përftohet krimijimi i ri, janë pashmangërisht bashkë, në tablotë e Halitit; prodhim i njëtrajshëm dhe krejt i natyrshëm. Unë e kuptoj këtë, nga përvoja vetjake, unë jam prejardhës i hapësirës dhe ngjyrave.... konstelacioni i prurjeve sikur edhe muzika e fleksimit, bariton dhe dramatik, tragjik po aq sa lirik, shlodhës sa edhe frigues, ftillohen me blendin..., gazin e gjallimit në krijimet e piktorit genuin fushor. Atëherë a nuk bëhet naive pyetja, A ka rëndësi piktura?!, apo tjetra se A mund ta transmetojmë pikturën?, ose-ose, A mund ta tregojmë pikturën?..., etj. Në këtë këndvështrim, i transportueshëm, që domethënë i tregueshëm, ndodh sekuenca e përvetësimit artistik si dukuri, me një vetëdije njerëzore, natyrshëm për shkak të kuorumit mes artistit dhe admiruesit. Kjo është mbresëlënëse prandaj edhe ne e përjetojmë derisa ndihemi të mbushur emocionesh. Unë do theksoja se këtu qëndron edhe helidonizmi në aspektin parësor atë që, e impresionon shikuesin. Ia merr atij vëmendjen dhe ai dalldis nëpër larminë e tematikave, trajtesat e alternuara, simbolet forta apo pejzazhet që kanë tinguj akuareleskë, pranverorë, pavarësisht teknikës në vaj e kanavacë, po kështu edhe në tabllote me elementë antike ku pesha e gurit sillet me lehtësinë e ngjyrës. Duke iu kthyer galerisë së tij, një element tjetër që forcon dualitetin e përkorë midis poezisë dhe pikturës, është piktura me temë ciklike si Dritarja e verdhë, Dritarja e kuqe, apo Mëngjesi, Perëndimi, Shtëpia e saj, Rrethina ime etj..., të cilat të kujtojnë tabllote e epike në eposin e lashtë. Kurse në vitalitetin e kontrastit krijon surrealizmin artistik të tipit Eluar, me poezinë që ne trajtuan më sipër. Sidoqoftë, përfytyrimit tonë i rri në krah shtrirja interpretative, përderisa vazhdojmë të zbulojmë pjesëmarrje të reja, por në të njëjtën kohë ose paralelisht, ne jemi duke përjetuar ngjyrat. Rendja ciklike e tablove të tilla i kapërcejnë kufijtë e epikës si dimension dramatik, ato kanë krehje lirike në këtë trajtesë, finesë poetike, prarime ngjyrash dhe soft intim për nga ndjenja idilike; domethënë që , universalizojnë ekzistencën fragmetare të një aspekti telajosh, subjekti bojrash, apo asaj që duket në atë që është. E kam fjalën tek qëllimi artistik i përftuar nga kjo panoramë ciklike temash dhe përmbajtjeje. Si përshembull, Shtëpia e saj, Rrethina ime, tymnajat e oxhakëve krijojnë elemente njerëzore përmbi çatitë, teshat e nderuara, silutetat në ecje e sipër dhe dritaret me fytyra vajzërore. Ngjyrat këtu bëhen pjesë e vjeshtës ekzistenciale, të atij momenti të përjetshëm, për të cilin Kamyja do të thoshte se, Vjeshta është një pranverë e dytë, kur çdo gjethe bëhet lule. Kjo rendje ciklike bëhet akoma më lirike për faktin e një tjetër rendje, atë të elementit artistik virtuoz nga një pikturë tek tjetra.

Ky lajm është publikuar: 05/05/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›