E Shtunë, 31 Tetor 2026

Itali, gjyqi për Otranton, jo riekspertim të çështjes

Autori i Lajmit: Redaksia

Gjykata e Leçes ka zhvilluar dje një seancë gjyqësore për tragjedinë e Otrantos, e ndodhur më 28 Mars 1997, ku humbën jetën 86 persona nga Vlora dhe zona të tjera shqiptare.
Avokatët italianë të të pandehurve italianë kërkuan dje nga gjykata e Leçes, riekpertizën e çështjes nga e para përfshi akt-ekspertimet dhe pyetjen e dëshmitarëve, por Gjykata e Leçes hodhi poshtë kërkesën e tyre. Të pranishëm në këtë seancë kanë qenë edhe deputetë të Partisë Demokratike, përkatësisht Ardian Kollozi dhe Kreshnik Çipi si dhe deputeti i PDU-së, Dashamir Tahiri. Ata përfaqësuan palën qeveritare shqiptare.
Avokatët e kapitenit të Sibilës
Dy avokatët e shtetit të cilët kanë në mbrojtje kapitenin, dhe të tjerë nga ekuipazhi i Sibilës, kërkuan rishqyrtim të të gjithë ngjarjes dhe rimarrjen në pyetje nga e para të të gjithë dëshmitarëve. Procesi gjyqësor vazhdon aktualisht në Gjykatën e Apelit, ndërsa në shkallën e parë në gjykatën e Brindisit është dënuar me 3 vjet burg komandanti italian Laudatio si dhe me 4 vjet burg komandanti shqiptar Namik Xhaferri. Por, edhe pse kapiteni i Sibilës mori dënimin, ai ankimoi vendimin, duke e kaluar çështjen në Apel, një proces gjyqësor maratonë, që vazhdon edhe sot 13 vjet pas tragjedisë. Por të mbijetuarit, kanë çelur një proces special në gjykatën e Strasburgut. Ky veprim është ndërmarrë menjëherë pas ngjarjes dhe gjykimi është drejt fundit.
Tragjedia para 13 vjetësh
Më 28 Mars 1997, anija "Kateri i Radës", me flamur shqiptar, u nis drejt brigjeve italiane me 120 klandestinë në bord. Anija kishte hyrë në ujërat territoriale italiane, teksa është pikasur nga anija luftarake italiane, "Sibilla". Anija luftarake pasi i ra disa herë përqark anijes shqiptare e godet më pas këtë të fundit, duke i shkaktuar çarje të mëdha, çka ka bërë që uji të depërtonte në brendësi të saj. Ngjarja la pas të paktën 86 të vdekur, pasi anija u përmbys. Dëshmitarët që shpëtuan treguan në TVNeës24 pas 13 vjetësh se anijes luftarake iu tregua me të gjitha mënyrat e mundshme se në bord ndodheshin gra e fëmijë, porse kjo nuk dha asnjë rezultat. Vite më vonë, Gjykata e Brindizit tha vendimin për ngjarjen, duke dënuar me prej 3 vjet heqje lirie komandantin e anijes ushtarake "Sibilla", Fabrizio Laudadio, i cili akuzohet se goditi anijen shqiptare, ndërsa dënoi me 4-vjet burg Namik Xhaferrin, kapiten i motovedetës shqiptare.

Ky lajm është publikuar: 05/05/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›