PS: Varfëria në fshat 50 % më e lartë
Nënsekretari për Programin në PS, Ervin Bushati, tha dje gjatë një konference për shtyp se, “varfëria aktualisht është 50 për qind më e lartë në zonat rurale, se në qendrat urbane dhe pabarazia rajonale për të ardhurat ekonomike të çdo familje është prezente në Shqipëri”. “Qeveria nuk ka bërë asgjë për të ulur varfërinë në qarqet e harruara prej saj dhe nuk ka marrë asnjë masë për të zhdukur diferencat rajonale në nivelin e varfërisë”, u shpreh Bushati, ndërsa shtoi se, “PS nëpërmjet programit të saj qeverisës, do të kujdeset që zhvillimi ekonomik të jete i balancuar dhe të zbusë pabarazitë rajonale që vuajnë sot zonat e rënduara nga varfëria dhe mungesa e një të ardhme dinjitoze”. “Gjendja e dëshpëruar bën qeverinë të marrë këto masa të dëshpëruara; masa të dëshpëruara qe bezdisin zgjedhësit, të cilët i kuptojnë lojërat elektorale të një njeriu, që po kapet me thonj pas pushtetit që po shket nën të. Zhvillimi ekonomik në vend krijohet vetëm në saj të energjisë së pashtershme të biznesit shqiptar që prodhon të mira materiale, pavarësisht gjithë ndërhyrjeve abuzive dhe lidhjeve nepotike të qeverisë”, tha nënsekretari socialist.