Helikopteri i Pashkos, Garda padit sigurimet
Garda e Republikës kërkon 78 milionë lekë të reja për helikopterin Bell 222, që u mbyt në ujërat e Adriatikut
Garda: Ishte i siguruar. Juristët e kompanisë së sigurimeve: Helikopteri nuk është gjetur
TIRANË- Garda e Republikës hedh në gjyq një shoqëri sigurimesh, duke i kërkuar të dëmshpërblejë helikopterin Bell 222, që u zhduk në Adriatik duke i marrë jetën Gramoz Pashkos dhe pesë personave të tjerë. Sipas burimeve zyrtare pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet, mësohet se prej disa ditësh është dorëzuar pranë kryesekretarisë një kërkesë-padi me objekt dëmshpërblimi, e përpiluar nga juristët e Gardës së Republikës ndaj shoqërisë së sigurimeve “INSIG”. Sipas kësaj kërkesë padie, shoqëria e sigurimeve nuk ka paguar dëmshpërblimin për helikopterin Bell 222 U, i cili u rrëzua në ujërat e detit Adriatik me datën 16 korrik të 2006, ku humbën jetën gjashtë pasagjerët që ishin në bord bashkë me pilotët. Sipas kësaj kërkese, kompania e sigurimeve duhet të paguajë në llogarinë e Gardës së Republikës shumën prej 78 milionë lekësh të reja, pasi mjeti i fluturimit ishte i siguruar tek kjo kompani.
***
Juristët e kompanisë së sigurimeve e kanë konsideruar rastin të paprecedentë dhe tëpadëmshpërblyeshëm, pasi helikopteri nuk është gjetur në ujërat e detit. Kërkesë- padia e mësipërmeështë hedhur në short elektronik nga specialistët e kësaj zyre dhe i ka rënë për shqyrtimin gjyqtarit Admir Thanza, njëkohësisht anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i cili pritet të caktojë datën e zhvillimit të seancës së parë gjyqësore, në lidhje me shqyrtimin e kësaj kërkesë-padie civile. Gjithashtu, mësohet se Garda e Republikës pritet të depozitojë pranë kësaj gjykate 1 % tëvlerës së kërkuar nga kompania e sigurimeve, si garanci për shqyrtimin e kësaj çështjeje, siç e parashikon ligji për dëmshpërblimet. Brenda dosjes së kërkesë padisë, juristët e Gardës kanë administruar edhe dosjen e ekspertëve që kanë punuar për këtë ngjarje në lidhje me zbulimin e shkakut të rrëzimit të helikopterit, të cilët kanë përcaktuar se shkaku i rrëzimit të tij ka qenë turbulencat ajrore ose gabimi i mundshëm njerëzor në drejtimin e helikopterit Bell 222 U.
***
Nga rrëzimi i helikopterit humbën jetën Gramoz Pashko, djali i tij, Ruben Pashko, Demush Hebaj, Aleksander Baloj, Vangjel Kondi dhe Qemal Kondi. Sipas ekspertëve, ky përfundim është arritur pas katër muajsh hetime, ku për përcaktimin e këtyre dy pistave përfundimtare është ndjekur një rrjedhojë logjike e përjashtimit të të gjitha pistave të tjera që kishin të bënin me defektet teknike apo mekanike, ose të ndonjë shpërthimi të mundshëm. Ndërkohë që kushtet atmosferike, sipas ekspertëve, kanë qenë të konfirmuara si të përshtatshme për fluturim, duke përjashtuar në këtë mënyrë edhe mundësinë që rrëzimi të ketë ardhur si pasojë e motit të keq. Helikopteri me gjashtë persona në bord humbi kontaktin me radarët në orën 22:17 minuta të datës 16 korrik 2006, kur po fluturonte drejt Barit, për të çuar Gramoz Pashkon në një spital italian, pas një aksidenti që ai kishte pësuar në Himarë.