Plagosi mikun e nënës, lihet në burg
I MITURI
TIRANË- Gjykata e Tiranës vendosi dje masën e sigurisë “arrest me burg” për 15-vjeçarin C.I. nga fshati Ziniq i Burrelit, i akuzuar për “vrasje të mbetur në tentativë” ndaj personit që e akuzonte se shkonte me nënën e tij. Para gjyqtarit të gatshëm, i mituri tregoi se i ati i kishte vdekur 10 vjet më parë, ndërsa i plagosuri prej tij kishte lidhje intime me të ëmën. 15-vjeçari që është nxënës i vitit të parë të gjimnazit të Burrelit, para krimit kishte qenë dëshmitar i një grindjeje midis nënës së tij dhe viktimës, i cili kishte hyrë natën në banesën e tyre nga dritarja e banjës dhe kërcënonte “të dashurën” për probleme xhelozie. Ajo kishte marrë një armë për ta qëlluar, të cilën ia kishte rrëmbyer e bija, ndërsa 15-vjeçari pasi e kishte marrë nga duart e motrës ka qëlluar disa herë viktimën duke e plagosur. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Ziniq të Burrelit, por për shkak të mungesës së seksionit për të mitur në Gjykatën e Matit, i mituri është sjellë në Tiranë për vlerësimin e ndalimit dhe caktimin e masës së sigurisë. Ndërkaq, avokati i caktuar kryesisht ka kërkuara nga gjykata që i riu të lihet i lirë me masën e sigurisë “detyrim për paraqitje” për shkak të moshës dhe shkollës që ai vazhdon, por gjykata nuk e ka pranuar këtë kërkesë, duke vendosur izolimin e tij në qeli me masën e sigurisë “arrest me burg” deri në përfundim të hetimit. F.Vezaj