Akuzat që rëndojnë mbi Ina Ramën po i faturohen ministrit Basha

Shpërdorimi flagrant i detyrës në rastin e hetimeve për shtetasin britanik Damir Fazlliç, heqja dhe mbajtja pranë vetes e Arjan Ndojës, mos hapja e dosjeve për korrupsion ndaj kreut të PS-së dhe thirrja pranë saj e klanit nepotik të shokëve e miqve, shembujt kryesorë të shpërdorimit, të cilat si në një seancë psikoterapie, kryeprokurorja ia atribuon pa asnjë provë, ministrit Lulzim Basha.
Zbardhja e akuzat të prokurorisë së përgjithshme ndaj ministrit Lulzim Basha veç sa ka tërhequr edhe njëherë vëmendjen për nga mosveprimet flagrante të institucionit të akuzës në epokën “Ina Rama”. Duke e lexuar rresht për rresht akuzën e artikuluar për Bashën kuptojmë se psikika ka vepruar në mënyrë të justifikueshme tek Arben Kraja e shefja e tij dhe ata kanë hedhur aty, me një jokompetencë ekzemplare profesionale krejt vijën e sjelljes që kanë vetë, ditë për ditë, në zyrë, me vartësit e me viktimat e mosveprimeve të tyre flagrante. Nuk ka shpërdorim më flagrant detyre sesa sjellja që Ina Rama mbajti muaj me radhë me shtetasin britanik Damir Fazlliç, teksa i bllokonte të gjitha investimet e llogaritë e përpiqej të ngatërronte një marrje në pyetje me arrestimin në flagrancë. Ajo çështje rezultoi më vonë pesë me hiç, por Ina Rama s’u shqetësua për shpërdorimin flagrant të detyrës dhe për dëmin e madh që i bëri imazhit të vendit. Shpërdorimi në këtë rast kulmoi në mospranimin e doërheqjes së Arjan Ndojës, i kapur në flagrancë se fshehu pasurinë, por edhe me refuzimin e hapur që të vijonte hetimet për malin me dosje ndaj Edvin Ramës, që prej më shumë se 5 vitesh, flenë në institucionin e akuzës.
Për të ecur më tej, tek akuza tjetër e shkeljes së barazisë në tender, mund të themi hapur se s’ka institucion më klasik për shkeljen e barazisë sesa institucioni i akuzës. Për hir të së vërtetës edhe në epokën “Rakipi” e “Sollaku”, e njëjta antikulturë pune funksiononte, por meqë jemi në erën “Rama”, s’mund të mos rrimë pa u ndalur tek aradha e emërimeve që ky institucion ka bërë: emërime kryekëput nepotike, krushqi e farefisni, por më së shumti, tek klani i gjerë i njohjeve të kryeprokurores në shkollën e lartë e të mesme në disa raste. Deri më tani, për t’i qendruar besnikë raportimit të fakteve, s’ka informacione për shtrirjen e këtij mekanizmi emërimesh edhe tek breznitë më të vogla, si në shkollën fillore apo në arsimin parashkollor. Shkelja e barazisë është flagrante edhe kur analizohet sjellja antiinstitucionale e kryeprokurores së re, e cila u emërua atje për të sjellë të rinjtë, me shkollë e me mendësi, por që gjeneroi thjesht një mekanizëm që rivlerësonte prokurorët e kohës së Ramiz Alisë, të cilët në rastin e marrëdhënieve të tensionuara me mazhorancën, thjesht kryenin një rrugë e dy punë: i bënin qejfin shefes, por edhe punonin për shefin e madh të komunizmit. Kundërshtimi që institucioni i bëri në kohë projektligjit për Prokurorinë është qershia mbi tortën e sjelljes shpërdoruese që po shfaqet në Prokurorinë e Përgjithshme. Titullarja e këtij institucioni ishte e vetmja që në një epokë reformash, pati guximin të deklaronte publikisht se s’ishte e interesuar që puna në institucionin e saj të disiplinohej në bazë të një ligji. Përkundrazi, underground u përzie në lëvizjen sindikaliste të gjyqtarëve e të prokurorëve, një tjetër e pathënë e sistemit tonë të drejtësisë...
Numërimi mund të vazhdonte edhe më tej për një institucion shpërdorues “par excellence”, megjithatë, po mjaftohemi me një leksion të vogël për një shpërdorim të madh që prokuroria ka konsumuar në përpunimin e akuzës ndaj ministrit Lulzim Basha.
...