Helmimi masiv në Ballsh, Pipero: “Pritet përgjigjja e analizave”
Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar se gjendja shëndetësore e personave të shtruar dy ditë më parë në spitalin e Ballshit dhe atë të Fierit është nën kontroll. Drejtori i Drejtorisë së Menaxhimit në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero, infeksionisti i angazhuar personalisht për problemin e ndodhur, ka deklaruar se nuk bëhet fjalë për një epidemi masive, por për një shpërthim të kufizuar me gastroenterite. Sipas tij, kjo sëmundje kryesisht shkaktohet nga marrja e ushqimeve apo edhe e ujit të kontaminuar. “Ka pasur një shpërthim me gastroenterite. Është një sëmundje që ne e konsiderojmë infektive akute, e shkaktuar kryesisht nga marrja e ushqimeve të kontaminuara apo edhe ujit të kontaminuar. Shpërthimi ka qenë i kufizuar. Aktualisht nuk ka asnjë rast të shtruar në spital. Ka raste që marrin ndihmë mjekësore, por nuk ka raste të shtruara për me shumë se dy orë”, - tha Pipero. Më tej, infeksionisti ka sqaruar se si çdo shpërthim tjetër i kufizuar i sëmundjeve gastrointestinale, ngjarja po i nënshtrohet hetimit të thellë epidemiologjik, që përfshin edhe analizat laboratorike të ujit apo ushqimeve të konsumuara (çfarëdo qofshin ato) dhe sapo të dalin rezultatet do të merren edhe masat përkatëse për menaxhimin përfundimtar të situatës. Për këtë arsye, specialistët e Institutit të Shëndetit Publik po marrin të gjitha mostrat në terren për të evidentuar shkaktarët e rëndimit të situatës epidemiologjike jo vetëm nga uji, por edhe nga ushqimet, pasi rastet e shfaqura i përkasin një zone të kufizuar. Numri total i personave që kanë kërkuar ndihmë mjekësore brenda dy-tri ditëve ka qenë rreth 200, por autoritetet shëndetësore theksojnë se një pjesë e madhe e tyre kanë pasur vetëm përzierje dhe janë kthyer në shtëpi me këshillat përkatëse. Ndërkaq, rreth 50% e tyre kanë marrë ndihmën mjekësore që ka konsistuar në dhënien e perfuzioneve.
J.Tashi
12 Maj 2010