Ligji i ri për të kontrolluar peshkimin
Drafti për peshkimin: Porte, flota dhe treg i posaçëm. Do të ndalohet peshkimi me rrjeta fundore nga muaji qershor deri në shtator, pasi shumë lloje peshqish janë drejt zhdukjes
Gjuetia e peshkut do të jetë e kontrolluar dhe për këtë aktivitet do të krijohen porte, flota dhe treg i posaçëm. Këto janë disa nga risitë që sjellë ligji i ri për peshkimin, që pritet t’i japë fund edhe gjuetisë së paligjshme të peshkut. Sipas këtij drafti, do të ndalohet peshkimi me rrjeta fundore nga muaji qershor deri në shtator, pasi shumë lloje peshqish janë drejt zhdukjes. Ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, ka prezantuar dje disa nga risitë që do të sjellë ligji i ri, si krijimi i porteve dhe flotave bashkëkohore sipas standardeve europiane, ngritja e vendeve të posaçme për tregtimin e peshkut, kriteret që ato duhet të zbatojnë etj. “Ngritja e kapaciteteve peshkuese me një flotë që duhet të karakterizohet nga kapacitete, mundësi dhe teknikë e cila duhet të jetë bashkëkohore. Përjashtimi i atyre elementëve dhe kapaciteteve të cilat janë tërësisht jashtë standardeve dhe jo vetëm nuk kryejnë peshkim, por krijojnë probleme mjaft të mëdha për të vazhduar më tej me porte mjaft bashkëkohore të peshkimit të shoqëruara me merkato peshkimi. Më tej, me tregun e peshkimit dhe ata që merren me përpunimin e peshkimit”, - tha Mediu. Por, veç masave për kontroll dhe ulje të informalitetit, Ministria e Mjedisit po kërkon të fuqizojë marketet e peshkut që mendohen të ndërtohen pranë porteve kryesore të vendit. “Do të ishte jashtëzakonisht e rëndësishme që të kemi një marrëdhënie shumë të fuqishme mes strukturave të shtetit dhe strukturave private që janë të gatshme të investojnë, sidomos në merkatot e peshkut, si dhe për të ndërtuar dhe zgjeruar atë hallkë të domosdoshme, për të ecur në rrugë të drejtë në zbatimin e këtij ligji”, - pohoi më tej ministri i Mjedisit. Vitin e ardhshëm në Portin e Shëngjinit parashikohet të ngrihet një market peshku, kostoja e të cilit mendohet të jetë 70 milionë lekë. Aktualisht, në vendin tonë numërohen të paktën 280 anije peshkimi dhe rreth 300 barka, gjendja e së cilave nuk është e mirë.