E Diel, 1 Nëntor 2026

Helmimi, restoranti pret turistë

Policia: Masat, pasi të dalin analizat e ushqimeve që hëngrën fëmijët Pas helmimit të 38 fëmijëve, aktiviteti i hotel-restorant "Akademia" në Voskopojë vijon të jetë i pambyllur.

Policia nuk ka marrë asnjë masë për mbylljen e restorantit, ushqimi i së cilës dyshohet se intoksikoi fëmijët e ardhur nga Elbasani. Përfaqësuesit e Drejtorisë së Shëndetit Publik në Korçës shkuan të mërkurën për të parë gjendjen në vend dhe ushqimin që servirej nga restoranti i këtij hoteli. Sipas policisë, ndonëse kanë nisur hetimet, nuk është parë e arsyeshme të mbyllej aktiviteti i "Akademia", derisa fjalën e fundit ta thonë ekspertët e Shëndetit Publik. Nëse kampionët e ushqimeve do të tregojnë se fëmijët janë helmuar prej tyre, atëherë blutë do të vendosin bllokimin e restorantit. Edhe kryetari i komunës Voskopojë, Nexhip Baçelli, u shpreh se deri më tani nuk është marrë asnjë masë për hotelin. "Kanë shkuar nga Inspektorati i Shëndetit Publik, por restoranti i hotelit nuk është mbyllur me sa di unë", u shpreh Baçelli. Sipas tij, komuna nuk ka ndonjë detyrim apo përgjegjësi që të ndërhyjë për çështjen e helmimit të fëmijëve, që dyshohet se e kanë nga ushqimi që konsumuan tek kompleksi turistik "Akademia" në Voskopojë. Vetëm analizat do të përcaktojnë nëse grupi prej 38 fëmijësh, tetë prej të cilëve u helmuan më rëndë, kanë pasur si shkak të gjendjes ushqimin e ndenjur. Drejtori i Drejtorisë së Shëndetit Publik në Korçë, Ylli Qirinxhi, nuk pranoi dje të prononcohet për një rezultat të "Akademia".
Dy ditë më parë, policia, duke iu referuar institucionit që drejton Qirinxhi dhe verifikimeve paraprake të ushqimeve, deklaroi se aktiviteti në këtë kompleks turistik do të mbyllej derisa të dilte rezultati i analizave. Por mësohet se dje puna në hotel "Akademia" ka vazhduar thuajse normalisht, edhe pse ngjarja e helmimit të fëmijëve të qendrës "Tjetër vizion" nga Elbasani është në hetim. Prokuroria e Korçës vazhdon hetimet për këtë ngjarje dhe në pyetje mësohet se është marrë edhe pronari i hotelit apo personeli i restorantit. Grupi i vizitorëve që kishin parashikuar të qëndronin tri ditë në Voskopojë përbëhej nga afro 70 fëmijë. Ditën e dytë të qëndrimit në ambientet e hotelit në Voskopojë, pas konsumimit të drekës, tek një pjesë e madhe e fëmijëve u shfaqën shqetësime shëndetësore. Jo pak, por 38 prej tyre patën të vjella dhe simptoma të helmimit nga ushqimi. Gjashtë prej tyre u shtruan dhe u trajtuan në pavijonin e Pediatrisë së Korçës, ndërsa 2 të tjerë në urgjencën e spitalit. Nga kontrolli i ushqimeve që inspektorët e Shëndetit Publik kryen një ditë pas helmimit të fëmijëve në kuzhinën e hotel "Akademia", në pamje të parë nuk janë vënë re probleme me ushqimin. Por, inspektorët morën kampione të ushqimit për t'i analizuar, ndërkohë që nuk u bë e ditur nëse këto kampione janë nga ushqimet që konsumuan një ditë më parë fëmijët apo nga ushqimi i një dite më pas. Sidoqoftë, pritet rezultati i analizave që do të dalin pas tri ditësh nga dërgimi i tyre në laborator, për të përcaktuar nëse ka ndikuar ushqimi i servirur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›