Helmohen bashkëshortët, vdes gruaja 60-vjeçare
LUSHNJË - Agjërimi ka qenë me pasoja fatale për një çift të moshuarish nga fshati Çermë - Sektor i Lushnjës.
Zoje Hida, 60 vjeçe, ka mbetur e vdekur 30 minuta pasi hëngri syfyrin së bashku me bashkëshortin Ramazan Hida, 64 vjeç, i cili ndodhet në spitalin e Lushnjës në gjendje jo të mirë shëndetësore.
Në shtëpi ndodhej dhe djali i çiftit, i cili pasi ka parë që prindërit nuk janë ndier mirë i ka nisur urgjentisht për në spital. Me gjithë ndërhyrjen e mjekëve gruaja ka ndërruar jetë, ndërsa bashkëshorti ndodhet ende nën vëzhgimin e bluzave të bardha.
Sipas vetë Ramazanit, ai së bashku me gruan e tij janë ngritur herët në mëngjes dhe për shkak të agjërimit kanë ngrënë ushqimin në orën 05. "Pasi hëngrëm syfyrin, - shprehet ai, - jemi ndier keq si unë dhe gruaja. Kishim të vjella dhe marrje mendsh e më pas nuk mbaj mend asgjë".
Familjarët e viktimës pretendojnë se prindërit e tyre janë helmuar nga konsumimi i ushqimeve, sidomos nga sultjashi, i vetmi ushqim që nuk u konsumua nga pjesëtarët e tjerë të familjes. Ndërsa mjeku reanimator Josif Prençe shpjegon se dyshohet që çifti Hida të jetë helmuar nga një lëndë bujqësore i quajtur fosfor organik.
Zihet me fqinjin, i vë zjarrin ullinjve
GJIROKASTËR- Konfliktohet me fqinjin, u vë zjarr ullinjve të këtij të fundit. Arrestohet ndërkaq për dy akuza të ndryshme, pasi hetimet tregojnë se ishte edhe autor i kultivimit të një sasie bimësh narkotike.
Burime zyrtare të policisë kanë bërë të ditur se 22- vjeçari Armand Hyseni, banues në fshatin Kodër të rrethit Tepelenë, është ndaluar pasi ka rezultuar se ka vënë zjarr të qëllimshëm në pronën e bashkëfshatarit të tij. Ngjarja ka ndodhur mesnatën e së enjtes, kohë në të cilën në fshatin Kodër.
Sipërfaqja e përfshirë nga zjarri mësohet të jetë rreth një hektar, ndërsa zjarri është shuar vetëm pas ndërhyrjes së banorëve të fshatit, të repartit zjarrfikës dhe të forcave të policisë. Ndërkaq, policia ka deklaruar se hetimet tregojnë se autor i zjarrit është 22-vjeçari Hyseni.
Ky shtetas pak ditë më parë ka debatuar me djalin e shtetasit të dëmtuar, duke e kërcënuar për jetën, pasi Armand Hyseni dyshonte se djali i shtetasit K.SH, e ka spiunuar në polici për zjarrvënie në mal, si dhe për kultivimin e një sasie rrënjësh bimë narkotike, të cilat janë shkatërruar nga policia në fshatin Kodër para disa ditësh.
Berat, arrestohet kultivuesi i kanabisit
BERAT - Në mesditen e djeshme, gjatë një operacioni policor në komunën malore të Tërpanit në Qarkun e Beratit, është arrestuar në flagrancë 45-vjeçari Abedin Menkaj, lindur dhe banues në fshatin Teman. Menkaj ka rënë në pranga pas një kontrolli të detajuar të Seksionit Kundër Narkotikëve.
Ky seksion ka krehur gati të gjithë zonën e fshatit Teman në komunën Tërpan, dhe ka mundur të zbulojë një sipërfaqe prej 300 metrash katrorë, pronë kjo e shtetasit Abedin Menkaj, ku ishin mbjellë 120 rrënjë bimë narkotike kanabis. Sipas ekspertëve, bima ka qenë në fazën e pjekjes dhe me një zhvillim cilësor që shkonte nga lartësia 1,2 - 2,0 m.
Ekspertët e Seksionit Kundër narkotikëve kanë këqyrur vendin e ngjarjes dhe kanë bërë sekuestrimin e mostrave të bimës kanabis sativa, të cilët më pas janë nisur për ekzaminime të mëtejshme në IPSH në Tiranë. Sasia tjetër e bimës narkotike pasi është shkulur, është asgjësuar me anë të procesit të djegies.