E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Sherr" te banda e Durrësit, shtyhet seanca

Mungesa e vazhdueshme e avokatëve detyroi gykatën t'i zëvendësojë me avokatë kryesisht. Refuzojnë të akuzuarit


Gjykata: Strategji për të shtyrë procesin. Të pandehurit: S'mbrohemi me avokatë kryesisht


TIRANË- Procesi gjyqësor në ngarkim të 15 personave të akuzuar si pjesëtarë të bandës së Durrësit edhe gjatë seancës së djeshme, vazhdoi me debate, tone të larta e braktisje të sallës së gjyqit nga avokatët e të pandehurit me trupën gjykuese. Kjo i ka detyruar këta të fundit të shtyjnë për të 82-n herë seancën e këtij procesi.


Si në seancat e mëparshme edhe mëngjesin e djeshëm, në seancën gjyqësore ndaj të pandehurve të kësaj "bande" nuk ishin paraqitur tre avokatët mbrojtës, ku dy prej tyre kishin deponuar nga një raport mjekësor, që për gjykatën nuk janë të vlefshme.


Pavarësisht këtyre raporteve mjekësore të përsëritura dhe jo të plota, prokurori i çështjes i kërkoi gjykatës të mos vazhdonte seancën gjyqësore duke i kërkuar ta shtyjë për javën tjetër. Një nga avokatët e të pandehurve kishte argumentuar se e kishte të pamundur të paraqitej në seancë për shkak të angazhimit në një proces tjetër.


Verifikimi i kryer nga Gjykata ka zbuluar se në fakt avokati nuk merrte pjesë në proces gjyqësor sipas pretendimit. Ky veprim ka bërë që gjykata t'i nisë një ankesë Ministrisë së Drejtësisë dhe Dhomës së Avokatisë.


Kryesuesi i trupit gjykues, Gurali Brahimllari, duke parë mungesën e pa arsyeshme të avokatëve mbrojtës, vendosi t'i zëvendësonte ata me avokatë kryesisht.
Emërimi i këtyre avokatëve, solli edhe reagimet e para të të pandehurve në sallën e gjyqit, duke kërkuar në shenjë revolte braktisjen e sallës së gjyqit.


Kërkesa e tyre për largim, u rrëzua nga kryegjyqtari Brahimllari i cili urdhëroi efektivët e policisë të mos lejojnë largimin e të pandehurve nga kafazi i hekurt i sallës nr.1 të Gjykatës së Krimeve të Rënda.


Kjo pasi seanca sipas tij duhej të vazhdonte. I menjëhershëm ka qenë reagimi i avokatëve që ndodheshin në sallën e gjyqit, që i kërkuan shpjegime Brahimllarit për urdhrin e dhënë ndaj efektivëve të policisë, duke kërkuar gjithashtu ndërprejen e seancës. Edhe në këtë rast kryesuesi i seancës duke mos pranuar pretendimet e avokatëve, i kërkoi prokurorit pyetjen e të penduarit të "bandës" Adriatik Coli.


Në këtë moment të pandehurit e procesit gjyqësore u irrituan bashkë me avokatët mbrojtës të cilët duke ngritur zërin në drejtim të gjykatës, e akuzuan atë për njëanshmëri dhe mungesë profesionalizmi. "E përjashtoj mbrojtësin tim ligjor Detar Hysi dhe kërkoj që të largohet menjëherë nga salla e gjyqit.


Meqë doni të vazhdoni ju gjyqin, unë e heq këtë avokat që kam dhe dua kohë për ta gjetur një tjetër,- tha i pandehuri Sardjan Sulejmani, duke i kërkuar avokatit Hysi të largohej. Hysi, në respektim të kërkesës së të pandehurit u ngrit, duke i kërkuar leje gjykatës për t'u larguar nga salla e gjyqit.


Gjyqtari Brahimllari e cilësoi këtë largim si "një strategji e të pandehurve dhe mbrojtjes për të zvarritur procesin". Edhe të pandehurit e tjerë, i kërkuan gjykatës të vlerësojnë aspektin profesional të avokatëve kryesisht, pasi sipas tyre, "janë të paaftë dhe nuk dinë as emrin e të pandehurve që i keni caktuar ju si gjykatë".


Më pas kanë vazhduar debatet dhe fyerjet mes avokatëve të caktuar kryesisht dhe atyre të zgjedhur nga familja e të pandehurve, ku këta të fundit i kanë kërkuar të largohen pasi "nuk kanë përgatitjen e duhur për të mbrojtur interesat e të pandehurve në këtë proces gjyqësor".


Gjykata, ankesë Ministrisë së Drejtësisë e dhomës së avokatisë

Pas largimit nga salla e gjyqit edhe të dy avokatëve të tjerë mbrojtës, duke vendosur shtyrjen e seancës gjyqësore për javën tjetër po në ora 9:00 të mëngjesit, që ka bërë që tensioni i ngritur të qetësohet.


Përveç shtyrjes së seancës gjyqësore, kryesuesi i togave të zeza paralajmëroi avokatët e larguar nga salla e gjyqit, se do t'i nisë shkresë ankuese Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe Ministrit të Drejtësisë, për zvarritjen e qëllimshme të këtij procesi gjyqësor që prej më shumë se dy viteve po vazhdon të zvarritet.


Sipas akuzës, të 15 të pandehurit e këtij procesi, akuzohen se në kuadër të "bandës" kanë kryer disa krime të rënda, që nga vrasja, pengmarrja e deri tek armëmbajtja pa leje.


VENDIMI

Bien akuzat për trafik ndaj katër të akuzuarve të zbuluar nga gazetarët

20 vite burg, për "shitjen" e fëmijës
TIRANË- Bien akuzat për trafikim të një fëmije ndaj Alfred Xhambazit, Ervehe Rizvos, Dritan Sulës dhe Zana Shoshori, të pandehur për këtë akuzë në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ndërsa të akuzuarit marrin 20 vite burg, për dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit dhe shkelje të procedurave të birësimit.


Trupi gjykues i kryesuar nga Nertina Kosova, pasi dëgjoi pretendimet e akuzës, mbrojtjes dhe vetë të pandehurve: dha masën e dënimit me 20 vjet burg dhe 9 milionë lekë të vjetra gjobë.


Sipas vendimit, i pandehuri Alfred Xhambazi ka konsumuar veprën penale të "dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit", e u dënua me 6 vite burg e 600 mijë lekë gjobë.


Po këtë vepër penale, sipas gjykatës, e ka konsumuar në bashkëpunim edhe e pandehura që ndodhet në "arrest shtëpie", Zana Shoshori, që u dënua me 4 vjet burg.


Të pandehurit Dritan Sula dhe Ervehe Rizvo, sipas vendimit të gjykatës, kanë konsumuar veprën penale të "shkeljes së procedurave të birësimit" e u dënuan me nga 5 vjet burg secili dhe 300 mijë lekë gjobë.


Sipas gjykatës, të pandehurit nuk kanë kryer "trafik fëmijësh" edhe pse është provuar nga pamjet filmike se fëmijën e tyre ia kanë shitur për 3500 euro një gazetareje të emisionit investigativ "Fiks Fare" në "Top Channel".


Ajo me fëmijën më pas kaloi ilegalisht në Greqi. Me kalimin e fëmijës 3 vjeç në Greqi, policia greke arrestoi shoqëruesit e fëmijës, që e kaluan atë ilegalisht dhe persona të tjerë të lidhur me këtë trafik fëmijësh, por që pas gjykimit disa vjeçar, gjykata e cilësoi se në këtë rast nuk ka trafik por vetëm "dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit" në bashkëpunim dhe "shkelje të procedurave të birësimit".


Në konkluzionet përfundimtare, prokuroria kërkoi nga gjykata dënimin me 18 vjet burg për Xhambazin dhe Shoshorin, ndërsa për Rizvon dhe Sulën prokuroria kërkoi dënimin e tyre me nga 15 vjet burg. F.Vezaj

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›